Duke dënuar atë që e quajti ndërhyrje të huaj në punët e brendshme të Brazilit, presidenti Luiz Inacio Lula da Silva kritikoi SHBA-në, duke deklaruar se vendi i tij nuk do të trajtohet “si fëmijë”, pasi SHBA-ja shpalli në mënyrë të njëanshme dy “banda kriminale” braziliane si organizata terroriste, vetëm disa orë pasi rivali i tij kryesor politik vizitoi Washingtonin, transmeton Anadolu.
“Nuk do të pranojmë të trajtohemi si fëmijë. Nuk do të pranojmë të trajtohemi sikur të ishim një vend i dorës së dytë”, tha Lula gjatë një fjalimi në inaugurimin e një fabrike plehrash kimike në komunën verilindore Laranjeiras.
Përplasja diplomatike shpërtheu pasi administrate e presidentit Donald Trump shpalli zyrtarisht Primeiro Comando da Capital (PCC) dhe Comando Vermelho (CV) si entitete terroriste. Ky veprim erdhi pas një vizite të nivelit të lartë në Washington nga senatori brazilian Flavio Bolsonaro, djali i ish-presidentit Jair Bolsonaro dhe rivali kryesor i presidentit Lula në zgjedhjet presidenciale të tetorit, i cili u prit nga presidenti Trump dhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio.
Në të njëjtën kohë me fjalimin e presidentit Lula, Ministria e Punëve të Jashtme e Brazilit publikoi një notë diplomatike zyrtare, duke paralajmëruar se Brazili nuk do të tolerojë masa arbitrare të jashtme nën pretekstin e bashkëpunimit për sigurinë.
Brazili paralajmëroi se etiketimet e njëanshme të administratës së Trumpit mund të dëmtojnë drejtpërdrejt shkëmbimin e inteligjencës dhe informacioneve.
“Masat e njëanshme dhe të panegociuara dobësojnë luftën kundër kriminelëve, ato zvogëlojnë kapacitetin për shkëmbim informacioni mes forcave policore dhe krijojnë veprime që rrezikojnë jetën e njerëzve të pafajshëm. Sovraniteti kombëtar nuk është i negociueshëm. Janë brazilianët ata që përcaktojnë se si klasifikohet dhe luftohet krimi brenda Brazilit, duke përdorur institucionet, ligjet dhe forcat e tyre të sigurisë”, thuhet në deklaratë.
Lula akuzoi rivalin e tij Bolsonaro për tradhti, duke theksuar se ai po kërkon ndërhyrje amerikane në çështjet e sigurisë së brendshme të Brazilit.
“Siguria e popullit tonë është shumë e rëndësishme për t’u manipuluar politikisht nga tradhtarë që përpiqen të ngatërrojnë këto çështje. Është e turpshme që, edhe një herë, anëtarë të familjes Bolsonaro po udhëtojnë në SHBA për të kërkuar ndërhyrje të huaj, nga patriotë të rremë me lidhje me krimin e organizuar që po u kërkojnë autoriteteve të huaja të ndërhyjnë në çështjet braziliane”, tha Lula.
Lula pranoi se PCC dhe CV janë “vërtet terroristë” për miliona brazilianë që jetojnë në periferitë urbane të cenueshme, ku ata ushtrojnë kontroll përmes dhunës brutale territoriale, por insistoi se Brazili ka kornizën ligjore, burimet sovrane dhe kapacitetin policor për t’i çmontuar këto rrjete pa diktate të jashtme.
Lula tha se nëse Washingtoni dëshiron vërtet ta ndihmojë Brazilin në luftën kundër krimit transnacional, duhet “të fillojë duke ekstraduar liderët e bandave braziliane që jetojnë rehat në Miami”.

