RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Presidenti serb Vuçiq i jep mandatin ministrit të Mbrojtjes Vuçeviq për të formuar qeverinë e re

presidenti-serb-vuciq-i-jep-mandatin-ministrit-te-mbrojtjes-vuceviq-per-te-formuar-qeverine-e-re

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka nominuar Millosh Vuçeviqin, ministrër i Mbrojtjes dhe zëvendëskryeministër i vendit, njëherësh edhe kryetar i Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet, të formojë qeverinë e re tre muaj e gjysmë pas zgjedhjeve të përgjithshme, transmeton Anadolu.

“Kryeministri i ri i Serbisë do të vazhdojë të zbatojë projekte në fushën e shëndetësisë, arsimit, shkencës dhe teknologjisë, zhvillimit të infrastrukturës, ekologjisë, energjisë, bujqësisë dhe turizmit, të cilat janë të rëndësishme për të ardhmen e vendit dhe përparimin e tij drejt Evropës dhe synojnë të rrisin standardet e jetesës së të gjithë qytetarëve”, tha Vuçiq në një deklaratë në Instagram.

Njoftimi i Vuçiqit erdhi 105 ditë pas zgjedhjeve të përgjithshme të mbajtura më 17 dhjetor 2023.

Vuçeviq do të marrë detyrën pas votëbesimit nga Asambleja Kombëtare e Serbisë në një seancë të planifikuar për ditët në vijim.

Ana Bërnabiq, e cila do të jetë kryeministre deri në zyrtarizimin e kryeministrit të ri, u zgjodh kryetare e Asamblesë Kombëtare të Serbisë.

Bërnabiq u bë kryeministrja me periudhën më të gjatë në këtë detyrë në Serbi pas dy mandatesh.

Vuçeviq ka qenë lider i partisë që nga 27 maji 2023 dhe zëvendëskryeministër dhe ministër i Mbrojtjes që nga viti 2022.

Partnerët e koalicionit të SNS-së e përshëndetën emërimin e Vuçeviqit si një zgjedhje logjike dhe të shkëlqyer, ndërsa opozita beson se nuk ka dallim se kush është kryeministër për sa kohë që Vuçiq është president.

Serbia mbajti zgjedhjet e parakohshme lokale dhe të përgjithshme më 17 dhjetor 2023. Aleanca e presidentit Vuçiq, e udhëhequr nga SNS-ja, e cila është në pushtet që nga viti 2012, fitoi zgjedhjet me 46 për qind të votave dhe siguroi 129 vende në parlamentin prej 250 anëtarësh.

Related posts

Anketë: 50 për qind e amerikanëve mbështesin sulmet e Izraelit në Gaza

rezart morina

“Vrasës të ftohtë, përbindësha”- Donald Trump përshkallëzon retorikën kundër emigrantëve dhe sulmon Kamala Harris: E paaftë

admin

Bie nataliteti në Kosovë

admin