RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Presidenti serb Vuçiq i jep mandatin ministrit të Mbrojtjes Vuçeviq për të formuar qeverinë e re

presidenti-serb-vuciq-i-jep-mandatin-ministrit-te-mbrojtjes-vuceviq-per-te-formuar-qeverine-e-re

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka nominuar Millosh Vuçeviqin, ministrër i Mbrojtjes dhe zëvendëskryeministër i vendit, njëherësh edhe kryetar i Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet, të formojë qeverinë e re tre muaj e gjysmë pas zgjedhjeve të përgjithshme, transmeton Anadolu.

“Kryeministri i ri i Serbisë do të vazhdojë të zbatojë projekte në fushën e shëndetësisë, arsimit, shkencës dhe teknologjisë, zhvillimit të infrastrukturës, ekologjisë, energjisë, bujqësisë dhe turizmit, të cilat janë të rëndësishme për të ardhmen e vendit dhe përparimin e tij drejt Evropës dhe synojnë të rrisin standardet e jetesës së të gjithë qytetarëve”, tha Vuçiq në një deklaratë në Instagram.

Njoftimi i Vuçiqit erdhi 105 ditë pas zgjedhjeve të përgjithshme të mbajtura më 17 dhjetor 2023.

Vuçeviq do të marrë detyrën pas votëbesimit nga Asambleja Kombëtare e Serbisë në një seancë të planifikuar për ditët në vijim.

Ana Bërnabiq, e cila do të jetë kryeministre deri në zyrtarizimin e kryeministrit të ri, u zgjodh kryetare e Asamblesë Kombëtare të Serbisë.

Bërnabiq u bë kryeministrja me periudhën më të gjatë në këtë detyrë në Serbi pas dy mandatesh.

Vuçeviq ka qenë lider i partisë që nga 27 maji 2023 dhe zëvendëskryeministër dhe ministër i Mbrojtjes që nga viti 2022.

Partnerët e koalicionit të SNS-së e përshëndetën emërimin e Vuçeviqit si një zgjedhje logjike dhe të shkëlqyer, ndërsa opozita beson se nuk ka dallim se kush është kryeministër për sa kohë që Vuçiq është president.

Serbia mbajti zgjedhjet e parakohshme lokale dhe të përgjithshme më 17 dhjetor 2023. Aleanca e presidentit Vuçiq, e udhëhequr nga SNS-ja, e cila është në pushtet që nga viti 2012, fitoi zgjedhjet me 46 për qind të votave dhe siguroi 129 vende në parlamentin prej 250 anëtarësh.

Related posts

Stuhia ‘pushton’ Japoninë, mijëra njerëz urdhërohen të evakuohen për shkak të rrezikut nga tajfuni që po i afrohet kryeqytetit

admin

Dëshmi të reja për ‘Sarajevo Safari’: Si përzgjidheshin “klientët”, fëmijët si objektiva, si funksiononte rrjeti

admin

Frikë për përshkallëzim në Lindjen e Mesme, ministri izraelit: Lufta me Hezbollahun mund të shmanget vetëm nëse…

admin