RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Presidenti turk mirëpret homologun libanez në Ankara

presidenti-turk-mirepret-homologun-libanez-ne-ankara

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan mirëpriti të enjten presidentin libanez Joseph Aoun me një ceremoni zyrtare në Kompleksin Presidencial në kryeqytetin e Turqisë, Ankara, raporton Anadolu.

Në ceremoni morën pjesë ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan, këshilltari kryesor presidencial Akif Çagatay Kiliç dhe zyrtarë të tjerë.

Para ceremonisë së mirëseardhjes, Aoun vizitoi Anitkabirin, mauzoleun e Mustafa Kemal Ataturkut, themeluesit të Republikës së Turqisë, sipas një deklarate me shkrim të Presidencës libaneze.

Aoun vendosi kurorë me lule në mauzole dhe mbajti një minutë heshtje.

“Qëndroj këtu për t’i bërë homazh një njeriu që mishëroi vendosmërinë e një kombi për të rindërtuar shtetin e tij dhe i shndërroi tokat që kishte rimarrë përmes sakrificave në një republikë të ligjit dhe institucioneve”, shkroi ai në librin e kujtimeve.

Ai vuri në dukje se vendosmëria e Ataturkut vazhdon të jetë frymëzim për çdo komb që synon të krijojë shtet.

“Kombi libanez, i cili është mik i popullit turk, gjithashtu sheh në këtë përvojë një model për t’u ndjekur në ndërtimin e një shteti të udhëhequr nga sundimi i ligjit, institucionet, drejtësia dhe barazia”, shtoi ai.

Të mërkurën, Aoun tha se Libani po llogarit në kontributin e Turqisë për rimëkëmbjen e tij ekonomike, mbështetjen për zbatimin e marrëveshjes kuadër të ndërmjetësuar nga SHBA-ja dhe ndihmën për forcimin e stabilitetit në jug të Libanit.

Në një intervistë për Anadolu para vizitës së tij të parë zyrtare në Turqi që nga marrja e detyrës në janar 2025, Aoun tha se marrëdhëniet libanezo-turke kanë “potencial për të kaluar në nivele të avancuara bashkëpunimi”.

“Turqia ka një pozitë qendrore në skenën aktuale rajonale dhe koordinimi me të është një domosdoshmëri strategjike, jo një zgjedhje e përkohshme”, tha ai.

Libani dhe Izraeli nënshkruan marrëveshjen kuadër të mbështetur nga SHBA-ja më 26 qershor. Marrëveshja parashikon tërheqjen graduale të Izraelit nga i gjithë territori libanez i pushtuar në këmbim të vendosjes së ushtrisë libaneze atje, si dhe çarmatimin e grupeve të armatosura, përfshirë Hezbollahun.

Related posts

Pse nga Ukraina po nxirren para me furgonë dhe jo përmes bankave?

Kushtrim Guraj

Abdixhiku: Mandatimi i Konjufcës për formimin e Qeverisë, humbje kohe

admin

Zv/presidentja e SHBA-së, Harris: Shumë civilë të pafajshëm janë vrarë në Gaza

Muhamet Ramadani