Presidentja në detyrë e Venezuelës, Delcy Rodríguez, refuzoi të japë një afat kohor për zgjedhje të reja presidenciale, duke e lënë vendin në një periudhë të zgjatur tranzicioni politik pas largimit të papritur të Nicolas Maduro, transmeton Anadolu.
Rodriguez u pyet nga gazetarët në një konferencë për media se kur do të shpalleshin zgjedhjet për të zgjidhur vakumin aktual në udhëheqje. Ajo u përgjigj: “Nuk e di, një ditë”.
Diosdado Cabello, figurë e fuqishme në partinë në pushtet dhe ministër aktual i Punëve të Brendshme, së fundmi tha se procesi zgjedhor do të zhvillohet vetëm “kur të vijë koha”.
Këshilli Kombëtar Zgjedhor (CNE), institucioni i ngarkuar me organizimin dhe mbikëqyrjen e zgjedhjeve, deri më tani nuk ka publikuar asnjë deklaratë apo kalendar paraprak.
Heshtja vjen pavarësisht se Rodriguez ka kaluar më shumë se 100 ditë në detyrë që nga operacioni ushtarak amerikan i 3 janarit, i cili çoi në kapjen e ish-presidentit Maduro.
Hezitimi për të caktuar një datë lidhet me pasojat e zgjedhjeve presidenciale të 28 korrikut të vitit 2024, një proces që dëmtoi rëndë marrëdhëniet diplomatike të Venezuelës me shumë vende.
CNE shpalli Maduro-n fitues pa publikuar rezultatet e detajuara sipas qendrave të votimit. Mungesa e transparencës shkaktoi reagim global dhe akuza për mashtrim masiv nga opozita, e udhëhequr nga Maria Corina Machado dhe Edmundo Gonzalez.

