Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Osmani udhëtoi për në New-York, ku në margjina të sesionit të 77-të, të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara (UNGA), krahas liderëve të tjerë botërorë do të marrë pjesë në pritjen zyrtare të organizuar nga presidenti i SHBA-ve, Joe Biden.
“Gjatë vizitës në New York, Presidentja Osmani, në funksion të përpjekjes për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës do të zhvillojë një sërë takimesh me krerë të delegacioneve të shteteve pjesëmarrëse në sesionin e Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, zyrtarë të lartë amerikanë dhe udhëheqës të organizatave ndërkombëtare”,thuhet në njoftimin për media.
Osmani, gjithashtu do të ketë takim edhe me mërgatën shqiptare në Amerikë.
Ndërkaq në Fordham University, Presidentja Osmani do ta mbajë një ligjëratë, në të cilën do të flasë për reformat në sistemin e drejtësisë, sundimin e ligjit, zhvillimin e demokracisë dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.
Gjatë vizitës në New York, Presidentja Osmani do të shoqërohet edhe nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz.