Princi i kurorës i Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, tha se vendet e Gjirit planifikojnë të bashkëpunojnë me Kinën për të adresuar sfidat në mbarë botën, duke përfshirë energjinë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Deklarata u bë në fjalimin hapës të princit në “Samitin e parë për Bashkëpunim dhe Zhvillim Këshilli i Bashkëpunimit të Gjirit-Kinë”, me pjesëmarrjen e presidentit kinez Xi Jinping.
I formuar në vitin vitin 1981, Këshilli i Bashkëpunimit të Gjirit përbëhet nga gjashtë anëtarë: Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajti, Bahreini, Katari dhe Omani, të cilët mbështeten shumë në të ardhurat nga nafta dhe gazi.
Bin Salman theksoi se rajoni dhe bota u përballën me sfida dhe rrethana të jashtëzakonshme që kërkonin veprim kolektiv.
Ai tha se vendet e Gjirit do të vazhdojnë të mbeten një burim i besueshëm për furnizimet me energji për Kinën dhe pjesën tjetër të botës.
Presidenti kinez Xi Jinping, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në Arabinë Saudite, pritet të marrë pjesë gjithashtu edhe në një samit tjetër në Rijad, Samitin Arabo-Kinez për Bashkëpunim dhe Zhvillim, me pjesëmarrjen e liderëve arabë.
Vizita e presidentit kinez vjen tre muaj pasi presidenti amerikan Joe Biden bëri një vizitë në Rijad në kohën e një krize energjetike të shkaktuar nga lufta ruse në Ukrainë.
Vizita e fundit e presidentit kinez në Arabinë Saudite ishte në vitin 2016.