Prokuroria Speciale ka kërkuar caktimin e paraburgimit ndaj Ilir Abdullahut, i dyshuar në rastin e vrasjes së policit Trium Riza.
Ai sipas komunikatës së Prokurorisë bashkë me tre persona tjerë akuzohet se nga hakmarrja kanë vrarë policin Riza.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka bërë kërkesë për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurit me inicialet I.A. për shkak se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri I.A. në bashkëkryerje edhe me të pandehurit A.B, F. A, Rr.A, si grup i organizuar nga i pandehuri E.S, të shtyrë nga motivi i hakmarrjes së paskrupullt, me dashje që të privojnë nga jeta T.R, për shkak se i njëjti, më parë në lokalin “Swiss Casino” në Prishtinë, e kishte rrahur E.S. Me këtë në bashkëkryerje kishin për të kryer veprën penale ‘’Vrasje e rëndë’’ nga neni 147 paragrafi 1 nën paragrafi 3 dhe 9 lidhur me nenin 23 të KPPK-së (Kodi i Përkohshëm Penal i Kosovës)”, thuhet në komunikatë.
Policia e Kosovës ka arrestuar Abdullahun të dielën në Batllavë të Podujevës.
Triumf Riza, polici i dalluar i shërbimit të atëhershëm policor të Kosovës, u vra më 30 gusht të vitit 2007.