Mbështetës të partisë opozitare në Shqipëri, Partisë Demokratike (PD), kanë hedhur molotov në drejtim të objektit të Kryeministrisë në protestën e së hënës, teksa kundërshtojnë burgosjen e deputetit demokrat, Ervin Salianji.
Partia Demokratike e ka cilësuar protestën si fillim i mosbindjes civile dhe vendimin për deputetin e konsideron si politik.
Policia, përmes megafonit, ka bërë thirrje që të mos kryhen akte dhune dhe të mos rrezikohet jeta e efektivëve të policisë.
Pas qëndrimit për disa minuta para ndërtesës së Kryeministrisë, drejtues të PD-së dhe mbështetës të opozitës janë drejtuar drejt Bashkisë së Tiranës.
Disa të rinj janë parë duke mbajtur në duar parullën, “Bëjeni Shqipërinë të lirë sërish” [Make Albania Free Again].
Në gjendje gatishmërie janë automjete zjarrfikëse dhe autobote me ujë.
Policia rrugore ka ndaluar qarkullimin e makinave në rreth 15 segmente rrugore që lidhen me qendrën e qytetit.
Opozita ka kryer disa aksione prej marrjes së vendimit nga Gjykata, përfshirë djegien e karrigeve para Kuvendit dhe katër manekinëve, dy prej të cilëve kanë qenë me imazhet e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe ish-ministrit, Fatmir Xhafaj.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka thënë në fjalimin e tij të fundit – të mbajtur nga arresti shtëpiak – se çdo demokrat është i betuar për çdo sakrificë.
“Demokratët nisin revoltën e tyre, zemërimin e tyre. Nga 7 tetori dhe deri në triumfin tonë nuk ka forcë në botë që të na mposhtë”, ka thënë Berisha.
Mësohet se rreth 1.000 zyrtarë policorë do të angazhohen për mbarëvajtjen e këtij tubimi.
Në shkresën që Partia Demokratike i ka dërguar policisë, ka kërkuar katër orë leje për tubim, nga ora 18:00 deri në orën 22:00, para ndërtesës së Kryeministrisë.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë shprehur shqetësim dhe keqardhje për skenat që janë parë në dy aksionet paraprake të opozitës, dhe kanë bërë thirrje për dialog. /rel