RTV AHIRETI
Shëndetësi

Provoni njërën nga këto tri dieta, nëse doni të humbni peshë

provoni-njeren-nga-keto-tri-dieta,-nese-doni-te-humbni-peshe

Ata që kanë nisur në janar misionin për humbje të peshës, do të bënin mirë t’i testonin dietat e njohura si “fad”.

Këto dieta të njohura reklamohen nga shumë persona të famshëm dhe ekzistojnë prej vitesh.

Zakonisht dietat premtojnë humbjen e shpejtë dhe të lehtë të peshës. Dhe shumicën e rasteve e arrijnë suksesin, por jo për shumë gjatë.

Studimet tregojnë se 80 për qind e gjitha dietave dështojnë, ku personat ndalin regjimin. Madje në disa raste ata shtojnë më tepër peshë sesa që kishin humbur fillimisht.

Mirëpo, nutricistët kanë treguar se ka disa trendë të dietave që nuk duhet injoruar, shkruan “The Sun”.

Dieta “Keto”

Dieta ketonike, që ishte përdorur edhe nga aktoret si Halle Berry dhe Vanessa Hudgens, shpesh njihet si dietë “fad”. Nuk mund të mohohet se është shumë efektive në humbje të peshës.

Qëllimi është që të ulësh karbohidratet në ekuivalentin e një bananeje në ditë, në mënyrë që të humbësh peshë.

Në vend që të marrësh energji nga karbohidratet, si buka e orizi, ata që mbajnë këtë dietë hanë yndyra të shëndetshme dhe proteina.

Shembull, në darkë mund të hani një sallatë pule me avokado e po ashtu perime që kanë sasi të vogël të karbohidrateve, si shembull spinaqi.

Nutricistja Eleanor Hoath, nga Well Nourished, thotë se nëse konsumoni shumë proteina mund t’ju ndihmojë të humbni peshë.

“Proteinat ju mbajnë të ngopur për një kohë më të gjatë”, thotë ajo për “The Sun”.

Dieta “Keto” fokusohet po ashtu në yndyrat e shëndetshme.

“Yndyrat janë tepër të rëndësishme për ta ruajtur nivelin e hormoneve dhe për të shmangur që trupi të kalojë në gjendje stresi”, thotë Eleanor.

Dietat me bazë bimore

Dieta me bazë bimore, e njohur si vegane, që preferohet nga emra të njohur si Ariana Grande e Liam Hemsworth, është treguar se ka efekte pozitive te zorrët, që mund të çojë në humbje peshe.

“Nëse keni balancë të shëndetshme të baktereve të zorrëve mund të ndryshojë mënyrën se si tretim ushqimin, përpunojmë dhe metabolizojmë. Kjo ka ndikim të thellë në mënyrën se si trupi ynë përdor ushqimin për ‘karburant’”, thotë nutricistja Eleanor Hoath.

E rëndësishme është, se dietat vegane mund të jenë të shëndetshme dhe jo të shëndetshme, në varësi të llojeve të ushqimeve që ato përmbajnë.

Shembull, ka pak gjasa që ju të humbni peshë nëse hani sasi të mëdha të ushqimeve të përpunuara.

Por, ngrënia e ushqimeve, si fruta, perime, drithëra e fasule, ka treguar se ndihmon në humbjen e peshës.

Një studim dyvjeçar i bërë me disa gra të moshuara që ishin në mbipeshë, tregoi se ato që mbanin dietë të shëndetshme vegane humbën pothuajse katër herë më shumë peshë sesa ato që ishin në një dietë me sasi të vogël të yndyrave.

Rekomandohet që të hani të paktën pesë porcione me shumëllojshmëri frutash e perimesh çdo ditë.

Dieta kundër diabetit

Eksperti i dietave Michael Mosley bëri bujë me dietën kundër diabetit në vitin 2016, kur tha se kishte përmbysur diabetin e tipit 2.

Qëllimi i dietës është të mbajë nivelin e qëndrueshëm të sheqerit në gjak.

Njerëzit me diabet mund të kenë nivel të lartë apo të ulët të sheqerit në gjak.

Ngrënia e ushqimeve me shumë sheqer mund të shkaktojnë rritjen e nivelit të sheqerit në gjak, dhe kjo çon në shtim të peshës, thotë nutricistja Eleanor.

“Kjo është për shkak se kur hamë sheqer, trupi ynë prodhon sasi të madhe të insulinës për ta procesuar atë. Rritja e insulinës ju bën të ndiheni të uritur dhe grumbullon dhjam në bark. Është me rëndësi që të përkujdeseni që sheqeri në gjak të jetë i qëndrueshëm për të shmangur rritjen e insulinës”, thotë Eleanor.

Ideja është të hiqni karbohidratet me niseshte, të hani shumë perime jeshile dhe me ngjyrë, shumë proteina dhe sasi mesatare të yndyrave të shëndetshme si vaji i ullirit.

Related posts

Kosi freskon në verë

RTI

Afër 7 mijë raste aktive me COVID-19

admin

Pasojat e gjumit të pakët dhe atij të tepërt

RTI