Rasti “Clancy”, ka ndarë fort publikun amerikan
Rasti i Lindsay Clancy, nënës nga Masaçusetsi që vrau tre fëmijët e saj, ka tronditur dhe ndarë opinionin publik amerikan.
Clancy pretendon se në momentin e krimit vuante nga psikoza pas lindjes, ndërsa çështja e saj mbeti pa një vendim përfundimtar, pasi gjyqi u shpall i pavlefshëm në fillim të këtij muaji.
Rasti ka rikthyer në qendër të debatit një pyetje të vështirë: si mund të ndodhë që një nënë, e cila tradicionalisht shihet si mbrojtësja e parë e fëmijës, të arrijë deri në vrasjen e tij?
Në këndvështrimin evolucionar, lidhja prind-fëmijë është ndër marrëdhëniet më të rëndësishme për mbijetesën e species. Megjithatë, vrasja e pasardhësve nuk është krejt e panjohur as në botën shtazore.
Disa specie, në kushte mungese ushqimi ose pamundësie për të ushqyer të gjithë pasardhësit, braktisin ose vrasin të vegjlit më të dobët. Edhe te njerëzit, antropologët kanë dokumentuar raste të infanticidit në shoqëri të ndryshme gjatë shekujve.
Shkaqet e raportuara shpesh lidhen me bindjen se familja nuk ka mundësi ta mbajë fëmijën. Lindja e binjakëve, mungesa e ushqimit, një tjetër fëmijë ende në gji ose sëmundjet dhe paaftësitë e të porsalindurit, kanë qenë ndër faktorët e përmendur.
Në disa shoqëri, rëndësi ka pasur edhe gjinia e fëmijës. Në komunitete ku djemtë konsiderohen më të vlefshëm ekonomikisht ose pritet të kujdesen për prindërit në pleqëri, vajzat kanë qenë historikisht më të ekspozuara ndaj braktisjes, neglizhencës dhe vrasjes.
Por kjo nuk do të thotë se prindërit i kanë marrë këto vendime lehtësisht apo në mënyrë të ftohtë dhe racionale. Përkundrazi, dëshmitë antropologjike tregojnë se bëhet fjalë për ngjarje të rënda, shpesh të shoqëruara me heshtje dhe traumë.
Një element tjetër është fakti se njerëzit janë një specie që rrit fëmijët në bashkëpunim. Nënat historikisht nuk janë mbështetur vetëm te vetja, por edhe te baballarët, gjyshërit, vëllezërit, motrat dhe komuniteti.
Antropologia Sarah Hrdy e ka përshkruar këtë si “anën e errët të rritjes në bashkëpunim”. I njëjti sistem ka zhvilluar te njerëzit bashkëpunimin dhe altruizmin mund të bëhet problematik kur mungon mbështetja.
Në shoqëritë moderne, rastet e vrasjes së fëmijëve nga prindërit janë shumë më të rralla, por nuk janë zhdukur. Në Angli dhe Uells, mes viteve 2014 -2025, mesatarisht 26 fëmijë nën 16 vjeç u vranë çdo vit nga prindërit e tyre.
Rreziku është veçanërisht i lartë gjatë periudhës së hershme pas lindjes. Depresioni pas lindjes është relativisht i zakonshëm, ndërsa psikoza pas lindjes është shumë më e rrallë, rreth një ose dy raste për çdo 1.000 lindje.
Ajo mund të shoqërohet me mani, deluzione dhe halucinacione dhe konsiderohet një urgjencë psikiatrike. Në rastin e Clancy, mbrojtja pretendon se ajo dëgjonte një zë që e urdhëronte të vriste fëmijët dhe më pas veten.
Ekspertët e prokurorisë kanë vënë në pikëpyetje nëse simptomat përputheshin me një gjendje psikotike. Për këtë arsye, shkenca dhe drejtësia ende nuk japin një përgjigje përfundimtare mbi përgjegjësinë e saj.
Rasti i saj është veçanërisht i pazakontë edhe për një arsye tjetër. Viktimat ishin tre fëmijët e saj, përfshirë dy që kishin kaluar tashmë fazën e foshnjërisë. Kjo nuk i ngjan modeleve të dokumentuara historikisht, ku braktisja ose vrasja lidhej shpesh me pamundësinë për të investuar në një të porsalindur.
Në fund, as teoria evolucionare dhe as psikologjia nuk mund ta justifikojnë një akt të tillë. Ato mund të ndihmojnë vetëm për të kuptuar se pse periudha pas lindjes është veçanërisht e ndjeshme dhe pse mungesa e mbështetjes mund ta rëndojë situatën.
Në rastet e sëmundjeve të rënda mendore, identifikimi i hershëm dhe ndërhyrja profesionale mund të jenë vendimtare për mbrojtjen e nënës dhe fëmijëve. /tesheshi

