RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Pse nuk mësojmë dot nga katastrofat?

pse-nuk-mesojme-dot-nga-katastrofat?

Nga Delvina dhe Gramshi vjet te Himara e Levani sivjet, zjarret shkrumbuan edhe propagandën qeveritare

Vitin e kaluar, Delvina dhe Gramshi u kthyen në simbolin e një vere të përvëluar nga zjarret. Flakët përpinë sipërfaqe të tëra pyjore, kërcënuan banesa dhe detyruan njerëzit të largoheshin në panik.

Pamjet e asaj vere ishin një paralajmërim i qartë se Shqipëria kishte nevojë për një sistem shumë më të përgatitur për përballimin e emergjencave.

Një vit më pas, historia po përsëritet. Zjarret përfshinë dje Levanin në Fier, ndërsa situata më dramatike u shënua në Himarë. Flakët u përhapën me shpejtësi, duke alarmuar banorët dhe duke rikthyer ankthin që shqiptarët e kanë njohur mirë edhe gjatë verave të fundit.

Askush nuk mund të pretendojë se zjarret apo katastrofat e tjera natyrore mund të parandalohen plotësisht. Temperaturat ekstreme, thatësira, erërat e forta dhe ndryshimet klimatike e bëjnë luftën kundër tyre gjithnjë e më të vështirë.

Aq më tepër kur një pjesë e zjarreve shkaktohen nga pakujdesia njerëzore ose janë të qëllimshme. Por, edhe kur katastrofa nuk mund të shmanget, pasojat e saj mund të kufizohen. Dhe pikërisht këtu nis përgjegjësia e shtetit.

Problemi shqiptar nuk është vetëm mungesa e avionëve apo mjeteve zjarrfikëse. Problemi më i madh është mungesa e një sistemi të qartë reagimi. Edhe këtë vit, ashtu si vitin e kaluar, organizimi në terren dhe planet e evakuimit japin përshtypjen e një veprimi të improvizuar, të tipit “shih e bëj”.

A ekziston një protokoll i qartë që hyn në fuqi sapo një zonë përballet me rrezik? Kush vendos për evakuimin? Ku duhet të shkojnë banorët? Si informohen ata? Kush kujdeset për të moshuarit, fëmijët dhe personat në nevojë?

Këto nuk duhet të jenë pyetje që shtrohen kur flakët kanë mbërritur pranë shtëpive. Një plan emergjence nuk mund të mbetet një dokument në ndonjë zyrë. Ai duhet të jetë i ushtruar, i njohur nga institucionet dhe i kuptueshëm edhe për popullatën.

Qytetarët duhet të dinë paraprakisht çfarë bëjnë, cilat rrugë ndjekin dhe ku të drejtohen. Përndryshe, çdo evakuim rrezikon të kthehet në një përzierje paniku, improvizimi dhe fati.

Pikërisht këtu duket më qartë edhe hendeku mes propagandës dhe realitetit. Edi Rama flet prej vitesh për forcimin e kapaciteteve të emergjencave civile, Madje në një rast deklaroi disa javë më parë se Shqipëria ka sot aq shumë mjete ajrore për shuarjen e zjarreve, sa mund të ndihmojë edhe vende të tjera të Evropës.

Por përballë pamjeve apokaliptike nga Himara dhe Levani, ky triumfalizëm tingëllon qesharak. Aftësia e një shteti për tu përballur me emergjencat nuk matet nga fotografitë pranë helikopterëve apo nga numri i mjeteve të blera, por nga aftësia për të reaguar në kohë, për të koordinuar strukturat dhe për të mbrojtur qytetarët.

Një vit pas Delvinës dhe Gramshit, Shqipëria duhej të kishte nxjerrë mësime. Duhej të kishte përmirësuar planet e evakuimit, koordinimin dhe sistemin e informimit të qytetarëve.

Sepse zjarri nuk njeh propagandë. Kur flakët afrohen pranë shtëpive, njerëzit nuk kanë nevojë për deklarata triumfaliste. Kanë nevojë për një shtet që e di çfarë duhet të bëjë dhe për një popullatë që di si të veprojë. tesheshi

Related posts

Kremlini: Raundi i ardhshëm i bisedimeve të paqes në Ukrainë do të zhvillohet në Gjenevë më 17-18 shkurt

Muhamet Ramadani

Rritje në tregjet financiare, rënie e fortë e çmimeve të naftës dhe gazit pas armëpushimit SHBA-Iran

admin

KQZ shpall nesër rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit

Kushtrim Guraj