E djathta po e kthen Islamin në një terren të ri të garës politike
Kur Giorgia Meloni iu drejtua të dielën e shkuar qindra të rinjve mbështetës të partisë së saj, Vëllezërit e Italisë, në Romë, ajo zgjodhi shkollën për të ilustruar se kush, sipas saj, është dhe kush nuk është italian.
“Nuk mund të ndodhë që në një klasë italiane, fëmijët italianë të ndihen të rrethuar sepse janë bërë pakicë”, deklaroi kryeministrja gjatë festivalit vjetor Fenix.
Pak ditë më vonë, qeveria e Melonit miratoi ndalimin e burkës dhe nikabit në shkolla, ndërsa njoftoi edhe një kufi prej 30 për qind për nxënësit pa shtetësi italiane ose me njohuri të dobëta të gjuhës italiane në vitin e parë të shkollës fillore, të mesme dhe të lartë.
Meloni i cilësoi këto masa si mjete për integrimin. Por vendimi ka rindezur debatin mbi një pyetje më themelore: kush konsiderohet “i huaj” dhe kush italian?
Italia ka udhëzime që rekomandojnë një kufi prej 30 për qind për nxënësit pa shtetësi italiane. Por ky dallim bazohet kryesisht te shtetësia dhe jo te vendi ku fëmijët kanë lindur apo janë rritur.
Sistemi italian mbështetet kryesisht te jus sanguinis, pra shtetësia përmes prejardhjes. Për pasojë, fëmijët e lindur në Itali nga prindër joitalianë nuk e marrin automatikisht shtetësinë dhe mund të klasifikohen zyrtarisht si të huaj edhe pasi kanë kaluar gjithë jetën në vend.
Mestre, një tjetër vatër tensioni
Në Mestre, pranë Venecias, debati ka marrë një kthesë edhe më të ashpër. Javën e kaluar, pranë një shkolle në një zonë me komunitet të madh bangladeshas, u shfaq një banderolë me mesazhin: “Integrimi juaj është rrënimi ynë!”.
Në një park ku muslimanët falin namazin e së premtes u shkrua “Jo Islamit!” dhe u vizatuan kryqe të krishtera.
Incidentet ndodhën ndërsa komuniteti bangladeshas po përballet me kundërshtime ndaj projektit për ndërtimin e një xhamie dhe qendre islame në territorin e një ish-punishteje. Komuniteti e ka blerë tokën, por projekti kërkon miratimin e autoriteteve lokale.
Një nga kundërshtaret më të zëshme është eurodeputetja e Legës, Anna Maria Cisint, e cila ka bërë vazhdimisht fushatë kundër ndërtimit të xhamive. Në një tubim të Legës në shkurt, ajo deklaroi se xhamia nuk do të ndërtohej nëse kampi i saj politik do të mbetej në pushtet.
Në një tjetër tubim, Cisint u shfaq me aktiviste të grupit të ekstremit të djathtë francez Nemesis. “Rreziku është Islami radikal. Ne nuk do t’i lejojmë ata të islamizojnë shtëpinë tonë. Kurrë”, deklaroi ajo.
Gara brenda të djathtës
Ndërkohë, ish-gjenerali Roberto Vannacci po përpiqet të zgjerojë hapësirën në të djathtë të së djathtës. Pas zgjedhjes në Parlamentin Evropian me Legën në vitin 2024, ai u nda nga partia dhe themeloi Futuro Nazionale, një lëvizje që ka vendosur “remigrimin”, pra largimin e emigrantëve nga Italia, në qendër të programit të saj.
Sipas sondazheve, partia e Vannaccit po regjistron rreth 8 për qind, ndërsa Lega ka zbritur nën 6 për qind. Kjo ka shtuar konkurrencën për votuesit e djathtë dhe e ka bërë emigracionin e identitetin kombëtar tema edhe më të forta të garës politike.
Më 18 shtator, Vannacci deklaroi se Italia nuk duhet ta bëjë më të lehtë marrjen e shtetësisë nga emigrantët. “Nuk mund të lejojmë që një emigrant të bëhet kaq lehtë shtetas italian, sepse pastaj ky qytetar voton”, tha ai.
Debati për shtetësinë dhe islamofobinë
Fioralba Duma, aktiviste italo-shqiptare e grupit “Italianë pa shtetësi”, tha se deklaratat e Melonit janë shqetësuese sepse shumë prej fëmijëve të cilëve u referohet si “të huaj” nuk kanë njohur kurrë një vend tjetër përveç Italisë.
Një referendum në qershor 2025 synoi të përgjysmonte, nga 10 në 5 vjet, periudhën e qëndrimit të ligjshëm përpara aplikimit për shtetësi nga shtetasit jo të BE-së. Rreth dy të tretat e votuesve mbështetën propozimin, por pjesëmarrja ishte vetëm rreth 30 për qind, nën pragun e nevojshëm për vlefshmërinë e referendumit.
Nga ana tjetër, komunitetet muslimane debati po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një betejë kundër përdorimit politik të Islamit.
Ahmed Vall, president i Komunitetit Islamik të Romës, e cilësoi ndalimin e nikabit si “propagandë”, duke argumentuar se nuk ka vajza me nikab që ndjekin shkollat italiane. “Çmimi i karburantit po i afrohet tre eurove për litër, ndërsa ajo flet për vajza me nikab në shkolla”, tha ai.
Rula Mohamed, një tjetër aktiviste e Komunitetit Islam të Romës, tha se islamofobia në Itali ka arritur “nivele ekstreme”. Sipas saj, kjo klimë është krijuar ndër vite, jo vetëm nga e djathta politike, por edhe nga mënyra se si një pjesë e medias i ka paraqitur muslimanët si të rrezikshëm ose të papajtueshëm me shoqërinë italiane.
Ajo shtoi se situata është përkeqësuar edhe nga dështimi i një pjese të qendrës së majtë për ta trajtuar seriozisht islamofobinë. /tesheshi

