RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Pushtuesit izraelitë përdorin dhunë dhe frikësim për t’i dëbuar palestinezët nga shtëpitë e tyre në Bregun Perëndimor

pushtuesit-izraelite-perdorin-dhune-dhe-frikesim-per-t’i-debuar-palestinezet-nga-shtepite-e-tyre-ne-bregun-perendimor

Pushtuesit izraelitë po përdorin gjithnjë e më shumë taktika rrethimi, dhunë dhe frikësim për t’i dëbuar palestinezët nga shtëpitë dhe tokat e tyre në Bregun Perëndimor të pushtuar, raportoi të hënën portali izraelit i lajmeve Ynet, transmeton Anadolu.

Rrethimi i fundit i një shtëpie palestineze në vendbanimin Qusra në Bregun Perëndimor, i cili tërhoqi vëmendje ndërkombëtare, ishte “larg nga të qenit një rast i izoluar”, raportoi Ynet, duke shtuar se të rinjtë izraelitë nga pikat e paligjshme të vendbanimeve rregullisht bllokojnë qasjen në fshatrat palestineze dhe u bëjnë presion banorëve që të largohen.

Gjatë dy javëve të fundit, pushtuesit izraelitë, shpesh të mbrojtur nga ushtarë izraelitë, kanë rrethuar tri shtëpi palestineze në Qusra, duke penguar dërgimin e nevojave bazë në to, sipas Ynet.

Në vendbanimin Jalud pranë Nablusit, Mahmoud dhe Aida Tubasi thanë se ishin larguar nga shtëpitë e tyre pas muajsh kërcënimesh, sulmesh me zjarr, hedhjesh gurësh dhe bllokimesh të rrugëve nga pushtuesit izraelitë.

“As ujë, as miell, as oriz (nuk lejohej të hynte në vendbanim)”, tha Mahmoud Tubasi për Ynet. “E dinim se gjithçka kishte marrë fund dhe u larguam”, tha ai.

Tubasi tha se pushtuesit kishin spërkatur me karburant dyert e shtëpive të tyre para se t’u vinin zjarrin, kishin ngritur një strukturë aty pranë, kishin hedhur gurë, kishin lëshuar muzikë me zë të lartë gjatë natës dhe kishin kërcënuar familjen.

“Na thanë: ‘Do t’ju djegim si familjen Dawabshe’”, tha ai, duke iu referuar një sulmi me zjarr të vitit 2015 në vendbanimin Duma në Bregun Perëndimor, ku u vra një fëmijë palestinez 18-muajsh dhe u plagosën rëndë prindërit e tij dhe vëllai katërvjeçar.

Të dy prindërit vdiqën më vonë nga plagët, ndërsa fëmija i mbijetuar pësoi djegie në 60 për qind të trupit dhe tani jeton nën kujdesin e të afërmve.

Sipas Ynet, rasti është pjesë e një modeli më të gjerë dhune nga pushtuesit izraelitë, të cilët krijojnë pika të reja vendbanimesh në zona që nominalisht janë nën administrimin palestinez, para se të nisin fushata frikësimi dhe dhune kundër palestinezëve vendas me synimin për t’i dëbuar ata nga shtëpitë dhe tokat e tyre.

Peace Now, një grup izraelit kundër vendbanimeve, tha se 26 pika të reja vendbanimesh të pushtuesve janë krijuar në Zonat A dhe B të Bregut Perëndimor të pushtuar, ku pushtuesit kanë marrë kontrollin e rreth 100.000 dunamëve (afërsisht 25.000 akra) tokë.

Yesh Din, një tjetër grup izraelit për të drejtat e njeriut, tha se më shumë se 60 për qind e dhunës së ushtruar nga pushtuesit që kishte dokumentuar gjatë gjysmës së parë të vitit 2026 kishte ndodhur në Zonat A dhe B. Vitin e kaluar, shtoi grupi, rreth një e treta e të gjitha incidenteve të dokumentuara ishin përqendruar në Zonën C.

“Sa më thellë të shtrihet vendbanimi, aq më e thellë është dhuna”, tha për Ynet Yonatan Kanonich, drejtor i kërkimeve në Yesh Din.

Incidentet e dokumentuara përfshijnë rrahje, hedhje gurësh, kokteje Molotov, të shtëna me armë dhe sulme me zjarr ndaj shtëpive, automjeteve dhe të mbjellave bujqësore.

Related posts

Hidhet mjet shpërthyes në oborrin e shtëpisë së kryesuesit të Bordit të “Trepçës”

Muhamet Ramadani

Vajza e policit të vrarë: Do të jemi gjithmonë krenarë me heroizmin tënd

Muhamet Ramadani

Pasi i cilësuan dëshmi të përfshirjes së NATO-s në luftë, Kremlini çel ekspozitë me pajisjet ushtarake perëndimore të kapura në Ukrainë

admin