Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin dhe presidenti i Sirisë, Bashar al-Assad, janë takuar në Moskë, transmeton Anadolu.
Kremlini njoftoi se Putin dhe Assad janë takuar mbrëmë në Pallatin e Kremlinit.
Duke folur në pjesën e hapur të takimit për media, Putin tha se ai nuk është takuar me Assadin për një kohë të gjatë dhe se kanë shumë çështje për të diskutuar në rendin e ditës.
Duke theksuar se situata në rajon, përfshirë Sirinë, është zhvilluar në kahje negative, Putin tha: “Sa i përket marrëdhënieve tona tregtare dhe ekonomike, edhe këtu ka shumë çështje. Ka edhe tendenca premtuese. Shpresoj se mund ta trajtojmë edhe këtë çështje”.
Assad, nga ana e tij, tha se Rusia dhe Siria kanë kaluar kohë të vështira nga e kaluara në të tashmen.
“Duke marrë parasysh ngjarjet që ndodhin sot në mbarë botën dhe në rajonin e Euroazisë, takimi ynë i sotëm është shumë i rëndësishëm në drejtim të adresimit të të gjitha detajeve dhe diskutimit të pritjeve dhe skenarëve të mundshëm”, tha Assad.