Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin deklaroi se bota islame është zhvilluar me shpejtësi dhe ka arritur sukses konkret në tregti dhe financa, transmeton Anadolu.
Kremlini publikoi mesazhin e Putinit me rastin e forumit të 14-të “Rusia-Bota Islame: Kazan Forum 2023” në të cilën do të mblidhen përfaqësues të ekonomive të Rusisë dhe të vendeve anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OBI) dhe në të cilin Anadolu (AA) është Partner Global i Komunikimit.
“Kryeqyteti i Tataristanit të Federatës së Rusisë, Kazan do të presë shumë të ftuar të huaj në kuadër të forumit”, tha Putin duke shtuar se “Rusia si në kuadër të bashkëpunimit dypalësh ashtu edhe në kuadër të bashkëpunimit me Organizatën e Bashkëpunimit Islam (OBI) ka marrëdhënie të bazuara në besim dhe të afërta në aspektin tradicional me shtetet muslimane”.
Ai vuri në dukje se marrëdhëniet në fjalë bazohen në partneritet dhe respekt reciprok.
“Ne jemi të bashkuar me angazhimin tonë për një rend botëror më të drejtë dhe shumëpolar të bazuar në ligjin ndërkombëtar. Sot vendet islame po zhvillohen me shpejtësi, po arrijnë suksese konkrete në tregti dhe financa, në inovacion dhe kërkime të aplikuara. Rusia është e hapur për bashkëpunimin më të gjerë të mundshëm tregtar dhe humanitar me këto vende. Duam të forcojmë lidhjet tona të vendosura, të fitojmë partnerë të rinj, të inkurajojmë bashkëpunimin industrial dhe bujqësor si dhe të krijojmë zinxhirë të rinj logjistikë”, tha Putin.
“Edhe muslimanët rusë kanë siguruar kontribute të rëndësishme në kontaktet ndërkombëtare. Ky forum është një provë bindëse për këtë. Jam i bindur se aktivitetet e forumit Kazan dhe Grupit të Vizionit Strategjik të Botës Ruse-Islame do të forcojnë ndërveprimin mes komuniteteve të biznesit të Rusisë dhe vendeve muslimane dhe do të krijojë mundësi të reja për projekte të përbashkëta në nivel rajonal dhe ndërqeveritar”, tha presidenti rus.
“Kazan Forum 2023” do të mbahet në datat 18-20 maj.