Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka bërë të ditur se vendi i tij ka vendosur armët e saj të para bërthamore në Bjellorusinë fqinje pas marrëveshjes midis dy vendeve muajin e kaluar, transmeton Anadolu.
“Ngarkesat e para bërthamore u dërguan në territorin e Bjellorusisë”, tha Putin në një seancë plenare të Forumit Ekonomik Ndërkombëtar në Shën Petersburg, duke theksuar se më shumë vendosje do të realizohen në muajt e ardhshëm.
Duke e quajtur masën një “element parandalues”, Putin tha se kjo është pjesa e parë, por “deri në fund të verës apo deri në fund të vitit kjo punë do të përfundohet tërësisht”.
Në fund të muajit maj, shefat e mbrojtjes ruse dhe bjelloruse nënshkruan një marrëveshje për vendosjen e armëve bërthamore ruse në Bjellorusi, e cila përcakton kushtet për mbajtjen e tyre në një objekt speciale maganizimi.
Në fillim të këtij viti, Putin njoftoi se Rusia do të vendosë armë bërthamore taktike dhe do të përfundojë ndërtimin e një objekti special maganizimi për to në Bjellorusinë fqinje.
Kundërsulmi i Ukrainës
Gjatë fjalimit të tij, Putin gjithashtu foli mbi përpjekjet e vazhdueshme të Ukrainës për rimarrjen e pjesëve të vendit të kontrolluara nga forcat ruse. Ai tha se përpjekja e Ukrainës ka arritur vetëm në “vijën e parë” të Rusisë në disa zona dhe ka dështuar në arritjen e qëllimeve të saj.
Sipas tij, kostoja e kundërsulmit të Ukrainës ka qenë e lartë dhe se Kievi ka pësuar humbje të rënda njerëzore.
“Në disa vende, njësitë ukrainase arritën në vijën e parë. Në disa vende, ato dështuan. E rëndësishme është se ata po përdorin rezervat strategjike dhe ata nuk i kanë arritur qëllimet e tyre në asnjë nga vendet”, tha Putin.
Ky koment i presidentit rus erdhi pas pretendimeve të Ukrainës se Kievi ka bërë përparim kundër trupave ruse në drejtime të shumta, përfshirë drejt qytetit Bakhmut, e cila është pika e nxehtë në luftën Rusi-Ukrainë.
Putin theksoi se Moska ka bërë përparim drejt qëllimit të saj për “çmilitarizimin” e Ukrainës, me prodhimin e armëve në vend që ishte pothuajse në një ngecje pasi shumica e armëve importohen nga jashtë.
Ndërkohë, shtoi ai, Rusia ka arritur prodhimin ushtarak 2.7 herë dhe vazhdon të zhvillojë kapacitetet e saj.
“Derisa flasim, një tjetër tentativë po bëhet. Kundërshtari po përpiqet të sulmojë në disa zona. Ata kanë ardhur në vijën e parë, beteja po vazhdon pikërisht në këtë moment”, tha ai.
Tanket ‘Leopard’ po “digjen” në fushën e betejës
Më tej, Putin përjashtoi mundësinë për një fitore të Ukrainës në sulmin e ri dhe në përgjithësi në luftë.
Ai tha se tanket gjermane ‘Leopard’, të dorëzuara në Ukrainë në fillim të këtij viti, “po digjen” në fushën e betejës. Ai shtoi se nëse avionët luftarakë ‘F-16’, të prodhimit amerikan, gjithashtu i jepen Kievit, ata do të rrëzohen.
“NATO po përfshihet në luftën në Ukrainë. Avionët ‘F-16’ gjithashtu do të digjen, nuk ka dyshim për këtë. Por nëse ata janë të vendosur në bazat ajrore jashtë Ukrainës, ne do të duhet të shohim se si dhe ku të godasim këto armë që përdoren kundër nesh. Ky është një rrezik serioz”, tha Putin.
Ai tha se Rusia është në gjendje të sulmojë ndërtesat qeveritare në Kiev, por nuk e bën këtë për arsye që ai “nuk do të shprehej publikisht”.
I pyetur për mundësinë e një sulmi taktik bërthamor rus në konfliktin në vazhdim, Putin tha se nuk është i prirur të kryejë një sulm të tillë, duke shtuar se armët bërhtamore duhet të shërbejnë vetëm si parandaluese.
Varësia nga Kina
Presidenti rus gjithashtu kritikoi pohimet se marrëveshjet e fundit me Kinën po e kthenin Moskën nën kontrollin e Pekinit.
Putin tha se vendet e tjera, përfshirë ato që pretendojnë ashtu, tashmë janë të varura nga Kina “shumë kohë më parë”.
“Kur dëgjoj ‘do të bëhesh i varur nga Kina’… unë pyes ‘po ju’. Ju jeni bërë shumë kohë më parë”, u shpreh ai, duke shtuar se “asgjë negative” nuk ka ardhur nga marrëdhëniet e tilla me Pekinin.
Mes përpjekjeve në rritje për të hequr dorë nga tregtia në dollarë amerikanë në favor të monedhave kombëtare, Putin tha se Moska nuk dëshiron të refuzojë pagesat në monedhën amerikane, por se ky është një rezultat i mundshëm.
“Nëse ky trend merr vrull në bursa, nëse shfaqen bursa të tjera të naftës dhe gazit ku pagesat nuk kryhen në dollarë, ky do të jetë fillimi i fundit për dollarin”, tha Putin.