Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka deklaruar se që nga kufizimet e Perëndimit për blerjen e energjisë së lirë nga Moska, Turqia është shfaqur si “partneri më i besueshëm” në sektorin e gazit, transmeton Anadolu.
“Ata vazhdimisht thoshin se Rusia nuk ofron (energji), por kufizon. Ne nuk kufizojmë asgjë, ne japim gjithçka. Turqia u tregua partneri më i besueshëm. Ajo kalon përmes Rrjedhës Turke”, tha Putin në një intervistë për ‘Rossiya-1 TV’.
Putin theksoi se Perëndimi shpresonte se Rusia do të shembet nëse nuk blejnë gaz nga vendi, duke shtuar se kjo qasje kishte një ndikim në ekonomitë perëndimore dhe jo në Moskë.
“Industria po kalon në vende të tjera, përfshirë SHBA-në, ku janë krijuar kushte më të favorshme dhe ku burimet e energjisë janë më të lira. Sepse ato duhet të lëngëzohen përpara se të transportohen përtej oqeanit, pastaj të kthehen përsëri në gaz. E gjithë kjo rrit kostot”, tha Putin.
Ai shtoi se sektori jo-energjetik i ekonomisë ruse po zgjerohet me ritme shumë më të shpejta se më parë dhe se po përballet me refuzimin e Evropës për të blerë gazin rus duke iu drejtuar burimeve alternative të energjisë.
“Ne po fillojmë të punojmë më shumë për gazifikimin tonë, për përdorimin e këtyre burimeve energjetike për të zgjidhur problemet e brendshme ekonomike, jo vetëm në sistemin e banesave dhe shërbimeve komunale, por edhe për ekonominë dhe industrinë”, tha ai.
Presidenti rus pohoi se autoritetet gjermane aktualisht janë të zënë me beteja të brendshme politike, pasi politika aktuale e Berlinit po shkakton “dëm kolosal” në të ardhmen e ekonomisë së saj.
Ai beson se ekonomia gjermane po humbet konkurrencën, megjithatë sipas tij, ajo “mbetet e qëndrueshme dhe e aftë të ekzistojë dhe të zhvillohet për një kohë të gjatë”.