RTV AHIRETI
LajmeOpinioneRajon dhe Botë

Qëndresa popullore më 15 korrik, guri më me peshë në themelet e Turqisë së re

qendresa-popullore-me-15-korrik,-guri-me-me-peshe-ne-themelet-e-turqise-se-re

Një fjalim i mbajtur në panelin me temë: “Vullneti kombëtar dhe rezistenca demokratike: 10-vjetori i 15 Korrikut”

Bujar M. Hoxha

Takimi i NATO-s para pak ditësh ripohoi gati me arrogancë rolin jetik të Turqisë për unitetin e aleancës. Konfirmimi i pozitës aktuale të Turqisë në skenën globale të gjeopolitikës erdhi përmes imazhesh dhe fjalësh, i dallueshëm fare thjesht në fokusin maksimal te presidenti Recep Tayyip Erdoğan dhe te bashkëshoqërimi i tij i pandashëm me homologun amerikan, Donald Trump. Në një kohë të fërkimeve të mëdha në politikën ndërkombëtare, Turqia dhe presidenti Erdoğan mundësuan me një diplomaci të shkëlqyer një takim të suksesshëm të aleancës dhe një deklaratë përmbyllëse e cila theksonte unitetin, solidaritetin dhe fuqinë e saj kolektive.

Në një klasifikim të zakonshëm të ngjarjeve, takimi i Ankarasë do të duhej të përmendej këtu në fund, si një epilog, por domethënia kritike i jep detyrimisht pozitë parësore. Nëse nuk mund të bëjmë parashikuesin e saktë, dhe vështirë ta bëjmë, mbi atë se si do të ishte Turqia me një 15 korrik të shkuar në drejtim tjetër, ne kemi në dorë të analizojmë të djeshmen dhe të sotmen kështu siç është, dhe një arsyetim më se logjik na thotë pa më të voglën lëkundje se pa epopenë e qëndresës të para dhjetë viteve, asgjë nga organizimi shembullor në kryeqytetin turk në ditët e para të këtij korriku nuk do të ishte i mundur.

Ajo që dua të them dhe ta paraqes si refren këtu është fakti i pakundërshtueshëm se fitorja e vullnetit popullor mbi tentativën për grusht shteti dhe përmbysje të rendit kushtetues duhet parë, vlerësuar dhe respektuar si gurthemel i protagonizmit të sotëm ndërkombëtar të Turqisë. Pa atë ngadhënjim mbi tradhtinë, më vjen keq ta them, por Turqia as do të mund të qëndronte në këmbë me intensitetin e zhvillimeve të sotme, e jo më të merrte vëmendje qendrore e të shndërrohej në amortizuese të një vargu përplasjesh dhe konfliktesh mes aktorësh në nivel rajonal dhe botëror.

*

Dhe për ta nisur nga realiteti i 15 korrikut të 2016-s, me të njëjtin përjetim dhe konkluzion të para një dekade, përkufizimi është lehtësisht i formulueshëm: rebelimi që tronditi Turqinë ishte skaji fundor i një përpjekje të gjatë dhe të mirëmenduar për të krijuar shtet brenda shtetit, për ta minuar shtetin dhe për ta bërë anormalitetin me forcë normalitet, ishte skaji fundor i historisë së një çibani të rritur e të maskuar me trëndafila besimi dhe vullnetarizmi mirëbërës, prej gjembave të së cilave u derdh pabesisht e pa mëshirë gjaku i qytetarëve të devotshëm e të ndershëm turq.

FETÖ është shembull i keqpërdorimit të dogmës, besimit, aktivizmit, është shembull se ku të çojnë synimet e mbrapshta dhe përdorimi si instrument, është shembull i pakontestueshëm se si nuk duhet të jetë një organizëm shoqëror.

*

Turqia e këtij shekulli është krejt tjetër nga ajo e njëqindvjeçarit të njëzetë. Kjo dekadë e fundit e ka bërë akoma më të dallueshëm transformimin. Krizat e përballuara dhe vështirësitë e kaluara e kanë kalitur më tepër dhe e kanë vënë më në pah. Tentativa e dështuar për grusht shteti ndan dy periudhat e rritjes së Turqisë në këtë shekull, por nuk e ndërpret atë. Ajo ngjarje e bëri Turqinë më të pjekur, më largpamëse, më ambicioze. I dha vetëbesim pas traumës.

Turqia përballoi në një dekadë e më shumë krizën e refugjatëve sirianë. Si vendi pritës i numrit më të madh të sirianëve të ikur nga lufta civile, i milionave prej tyre, ajo mbajti barrën kryesore në atë krizë, e cila përveç aspektit humanitar, ushtroi dhe presion social e pati dhe ndikime të natyrave të tjera, politike, ekonomike, demografike, për të përmendur disa. Përveçse u pritën, refugjatët kaluan nëpër një proces integrimi, duke iu gëzuar një pjese të mirë të shërbimeve sociale. Lufta civile në vendin fqinj u shoqërua dhe me një problem sigurie në kufijtë jugorë. Forcat turke ndërmorën operacione në këtë kuadër. Ndërkaq, Turqia kontribuon sot esencialisht në paqen e rifituar dhe të brishtë në Siri.

Pandemia e koronavirusit, e cila paralizoi jetën globale në fillim të këtij dhjetëvjeçari, ndikoi dhe në jetën sociale dhe ekonomike të Turqisë. Vendi diti megjithatë ta administrojë me sa më pak dhimbje situatën, të tregojë reflekset e duhura në fushën e shëndetësisë, në terrenin spitalor, e të bëhet në të njëjtën kohë dhe një kontribues humanitar ndërkombëtarisht. Pasi ndërtoi me të shpejtë një seri spitalesh brenda vendit gjatë pandemisë, Turqia ofroi dhe jashtë ndihmë. Rasti i Shqipërisë dhe ndërtimi për një kohë rekord i spitalit rajonal të Fierit, me shërbime të specializuara brenda tij, është ndër spikatësit.

Të quajtur ndryshe dhe “katastrofa e shekullit”, tërmetet e 6 shkurtit të 2023-shit, me epiqendër në Kahramanmarash, u morën jetën më shumë se 50 mijë vetëve në 11 rrethe të Turqisë, shkatërruan mijëra ndërtesa dhe i bënë të pabanueshme mijëra të tjera. Asnjë vend nuk do t’i kishte bërë ballë një katastrofe të tillë. Turqia tregoi dhe një herë vitalitetin me një program masiv rindërtimi, frytet e të cilit janë tani të dukshme ngado në zonat e goditura nga tërmetet shkatërrimtare. Përtej fshirjes së pasojave të tërmeteve të tre viteve më parë, sipërmarrja e një projekti madhor social, e më të madhit në historinë e republikës, ndërtimit të 500 mijë banesave sociale në 81 rrethe, do të japë zgjidhje masive për problemin e strehimit.

Turqia gëzon pozita ndërmjetësuese në konfliktin midis Rusisë dhe Ukrainës, i cili ka hyrë në vitin e pestë. Diplomacia e kujdesshme dhe elastike i ka dhënë Turqisë rolin e negociatorit dhe të zgjidhësit të krizave në këtë kuadër, si, për shembull, në duhet përmendur, të lëvizjes së drithërave kohë më parë.

Në pozita të ngjashme është Turqia dhe në përplasjen aktuale mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit, nëpërmjet përdorimit të gjuhës jokonfliktuale dhe dhënies së zgjidhjeve që rajoni të mos përfshihet më tej nga zjarri. Turqia mbetet një nga zërat më të fuqishëm ndërkombëtarë të denoncimit të gjenocidit izraelit mbi popullsinë e Gazës.

Turqisë dhe presidentit Erdoğan po u njihet gjithnjë e më tepër roli i veçantë në shumë prej sfidave me të cilat po përballet bota sot. Pranimi i fuqisë në rritje të Turqisë mund të perceptohet fare kollaj dhe në ligjërimin e tanishëm pozitiv perëndimor, mjaft ndryshe nga një periudhë e shkuar, e ndikuar dhe nga turbulencat e vazhdueshme gjeopolitike të kohëve të fundit.

*

Kjo Turqi nuk do të ishte e këtillë nëse tentativa për grusht shteti nuk do të kishte marrë përgjigjen e duhur para dhjetë viteve. Kush nuk e kupton, ose nuk do ta kuptojë, këtë, o është i verbër, o mungon arsyetimi i duhur, o është keqdashës.

Precedenti FETÖ nuk e toleron më humbjen e vigjilencës, në Turqi dhe kudo ku kërkohet të shmanget një 15 korrik i ngjashëm. Me kalimin e kohës, ngjarjet e mëdha kanë prirje të mitizohen, të marrin nuanca romantizmi, të letrarizohen. Megjithatë, sakrifica e qindra të vrarëve dhe e mijëra të plagosurve të kundërvënë tentativës për grusht shteti nuk është produkt imagjinate letrare, por realitet i hidhur dhe njëkohësisht frymëzues. Turqit kanë një aftësi të jashtëzakonshme reagimi dhe organizimi në momente delikate të historisë. Mbijetesa e tyre ka prodhuar shumë shembuj në lidhje me këtë aftësi. Qëndresa epike më 15 korrik, e nxitur nga thirrja e presidentit Erdoğan, është e pazakontë, një mësimdhënie historike!

Për ne, si shqiptarë, këtu dhe jashtë Shqipërisë, në rajon, për vetë Ballkanin, një Turqi e fortë dhe e lulëzuar është garanci për siguri. Kjo Turqi e sotme është një siguri më shumë!

Related posts

Mbikalimi dhe nënkalimi në Veternik, kontrata e ndërtimit kap vlerën 8 milionë euro

admin

Shok te muslimanët shqiptarë: ç’kërkon një shtrigë sioniste në iftarin e KMSH-së?!

Muhamet Ramadani

Danimarkë: ChatGPT shkruan fjalimin e kryeministres Frederiksen

Muhamet Ramadani