Qeveria e Maqedonisë së Veriut mori vendim për shpalljen e gjendjes së krizës në Komunën e Gostivarit për një periudhë prej 30 ditësh, për shkak të situatës së krijuar nga ndotja e ujit në këtë komunë, transmeton Anadolu.
Qeveria sot mbajti seancën e 195-të, në të cilën u vendos shpallja e gjendjes së krizës 30-ditore në Gostivar.
“Duke pasur parasysh se vetëqeverisja lokale nuk mund të përballet me situatën e krijuar në Komunën e Gostivarit, qeveria mori këtë vendim për shpalljen e gjendjes së krizës me qëllim koordinimin më të shpejtë të institucioneve, si dhe vënien në funksion të sistemit të furnizimit me ujë dhe sigurimin e ujit të pijshëm në afatin më të shkurtër të mundshëm”, thuhet nga Qeveria.
“Shëndeti i qytetarëve të Komunës së Gostivarit mbetet në fokus të Qeverisë dhe ne jemi të përkushtuar për zgjidhjen e plotë të këtij problemi”, shtohet më tej.
Qeveria gjithashtu pret nga Prokuroria Publike të zhvillojë hetim të detajuar dhe ta zbardhë rastin, duke shtuar se “duhet të ketë përgjegjësi për secilin që ka vënë në rrezik shëndetin dhe jetën e banorëve të Gostivarit”.
Pasi rreth 1.200 qytetarë kërkuan ndihmë mjekësore për shkak të problemeve me stomakun, uji nga ujësjellësi i qytetit në Gostivar u ndalua për konsum javën e kaluar.
Institucionet kompetente shpallën epidemi lokale në Gostivar për tejkalimin e situatës me furnizimin me ujë.
Ministria e Shëndetësisë njoftoi se deri më tani në institucionet shëndetësore në Gostivar janë regjistruar më shumë se 3.200 raste të lidhura me ndotjen e ujit.
Qeveria njoftoi dje se për popullsinë po sigurohen çdo ditë nga 50 mijë litra ujë të pijshëm.
Nga ana tjetër, Prokuroria Themelore Publike (PTHP) në Gostivar hapi procedurë hetimore dhe paraqiti propozim për paraburgim 30-ditor ndaj drejtoreshës së Ndërmarrjes Publike “Komunalec” – Gostivar dhe dy drejtuesve të tjerë të ndërmarrjes.
Sipas PTHP-së së Gostivarit, ata dyshohen se përmes vendosjes ilegale të pompave në dhomën e tejmbushjes në fshatin Vrutok, kanë shkaktuar ndotjen e ujit të pijshëm me të cilin furnizohet Gostivari.

