Sot në Ministrinë e Mbrojtjes së Bosnjë e Hercegovinës (BeH) u nënshkrua një marrëveshje teknike ndërmjet Ministrisë dhe Republikës Federale të Gjermanisë, në bazë të së cilës Qeveria e Republikës Federale të Gjermanisë jep ndihmë financiare për punime infrastrukturore në disa lokacione dhe prokurimin e uniformave për Forcat e Armatosura të BeH në vlerë të përgjithshme prej 2.970.000 euro, raporton Anadolu.
Ministria e Mbrojtjes e BeH-së njoftoi se marrëveshjen në emër të ministrit të mbrojtjes Zukan Helez e nënshkroi Zoran Shajinoviq, ndihmësministër i mbrojtjes për bashkëpunim ndërkombëtar, dhe në emër të palës gjermane, marrëveshja u nënshkrua nga atasheu ushtarak në BeH, kolonel Franz Josef Nolte.
Marrëveshja teknike për mbështetjen e punimeve infrastrukturore, në vlerën 1.470.000 euro, përfshin projekte për rregullimin e infrastrukturës dhe objekteve në gjashtë lokacione ku banojnë pjesëtarët e Forcave të Armatosura të BeH-së.
Mjetet e marrëveshjes teknike për mbështetjen e prokurimit të uniformave në vlerë prej 1.500.000 euro do të dedikohen për pajisjen e Grupit të Batalionit të Lehtë të Këmbësorisë të Forcave të Armatosura të BeH-së.
Shajinoviq shprehu mirënjohjen e tij për ndihmën financiare, e cila kontribuon në përmirësimin e kushteve të jetesës dhe punës së pjesëtarëve të Forcave të Armatosura të BeH-së, si dhe modernizimin e tyre të përgjithshëm, dhe shtoi se donacioni i sotëm, si të gjitha donacionet e mëparshme, është një tjetër tregues i përkushtimit të Republikës Federale të Gjermanisë në ofrimin e mbështetjes për procesin e integrimeve evropiane dhe euroatlantike të BeH-së.
Koloneli Nolte njoftoi se deri në fund të shtatorit të këtij viti do të nënshkruhen edhe disa marrëveshje të tjera, të cilat do të synojnë renovimin e infrastrukturës në lokacionet e Forcave të Armatosura të BeH-së.