Qeveria kolumbiane dhe forcat guerile të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (ELN) nënshkruan një armëpushim kombëtar dhe dypalësh që do të zgjasë gjashtë muaj, transmeton Anadolu.
Armëpushimi parashikon një fazë të parë gatishmërie deri më 6 korrik dhe do të hyjë në fuqi zyrtarisht duke filluar nga 3 gushti.
Në prani të presidentit kolumbian Gustavo Petro, komandantit të parë të ELN-së Antonio Garcia dhe delegacioneve të qeverisë kolumbiane dhe ELN-së, raundi i tretë i negociatave kulmoi në Kubë.
Qeveria e Kubës dhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres uruan të dyja palët. Guterres u zotua për mbështetjen e vazhdueshme të organizatës për procesin e paqes.
“Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së përgëzon fuqishëm vendimin e shpallur sot nga Qeveria e Kolumbisë dhe Ushtria Çlirimtare Kombëtare (ELN) për të rifilluar bisedimet e paqes”, tha zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric, duke shtuar:
“Këto janë hapa të rëndësishëm përpara që i dërgojnë shpresë popullit kolumbian, veçanërisht komuniteteve që janë më të prekura nga konflikti”.
Lajmi vjen pasi procesi i paqes pësoi pengesa të ndryshme.
Më 31 dhjetor, Petro njoftoi një armëpushim gjashtë mujor me ELN-në dhe grupe të tjera të armatosura. Tre ditë më vonë, grupi gueril mohoi se kishte ndonjë marrëveshje.
Që nga fillimi i negociatave vitin e kaluar, ELN ka kryer disa krime, duke përfshirë vrasjen e anëtarëve të ushtrisë dhe të një grupi fëmijësh indigjenë që po arratiseshin në mënyrë që të mos rekrutoheshin nga grupi. Qeveria është kritikuar se është shumë e butë ndaj grupit terrorist.
Të mërkurën e kaluar, presidenti kolumbian njoftoi praninë e tij për herë të parë në tryezën e dialogut në Kubë dhe konfirmoi se do të nënshkruante marrëveshjen.
ELN dhe qeveria kolumbiane kanë përfunduar tre raunde bisedimesh që nga janari i këtij viti, në Caracas, Mexico City dhe në Havana, të cilat filluan më 2 maj.