Qeveria e Kosovës sot në mbledhjen e saj ka miratuar Programin Kombëtar për Mbrojtje Gjithëpërfshirëse, program ky i cili siç u tha ka për synim mbrojtjen e vendit nga kërcënimet e brendshme dhe të jashtme, si dhe nga fatkeqësitë natyrore.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti para kabinetit qeveritar tha se Ministria e Mbrojtjes ka hartuar Programin Kombëtar për Mbrojtjen Gjithëpërfshirëse të Kosovës.
Ai tha se Mbrojtja Gjithëpërfshirëse është një strategji qeveritare e përfshirjes së mbarë shoqërisë në sistemin e mbrojtjes me qëllim të ruajtjes së interesave jetike të vendit tonë.
“Strategjia e sigurisë së Kosovës e thekson qartë se mbrojtja a sovranitetit territorial nga kërcënimet e jashtme dhe të brendshme ndaj territorit të vendit dhe ruajtjes së jetës dhe pasurisë së qytetarëve në rast të fatkeqësive natyrore janë interesa jetike të Kosovës”, tha ai.
Ministri i Mbrojtjes tha tutje se ky sistem nuk do të ndërhyjë në zhvillimin e gjithmbarshëm të FSK-së, por njëkohësisht u mundëson të gjithë qytetarëve vullnetarisht të kenë rolin e tyre në sistemin e mbrojtjes dhe të sigurisë.
“Pra, përderisa FSK-në po e ndërtojmë dhe zhvillojmë në përputhje me Planin gjithëpërfshirës të tranzicionit, në Programin e mbrojtjes gjithëpërfshirëse po vendosim bazën për përgatitjen e edukimin e qytetarëve dhe institucioneve në sistemin mbrojtës”, tha ai.
The post Qeveria miraton Programin Kombëtar për Mbrojtje Gjithëpërfshirëse first appeared on Radio Televizioni Iliria.