Qeveria në Gaza tha se të paktën 250 palestinezë u vranë dhe 300 të tjerë u plagosën në sulmet tokësore që ushtria izraelite kreu për 8 ditë në lindje të qytetit Khan Younis në jug të Rripit të Gazës, pavarësisht se Izraeli e shpalli si “vend të sigurt”, transmeton Anadolu.
Në deklaratën me shkrim të Zyrës së Qeverisë për Media, është dhënë informacion për humbjet në rajonet lindore të Khan Younis, ku ushtria izraelite u tërhoq pas 8 ditësh sulme.
Sipas gjetjeve fillestare, të paktën 250 trupat e palestinezëve të vrarë dhe 300 të plagosurve u gjetën në lindje të Khan Younis, ku u tërhoq ushtria izraelite. 31 persona rezultojnë të zhdukur në rajon ndërsa thuhet se veprimet e ushtrisë izraelite në Khan Younis janë “krim lufte kundër njerëzimit”.
Ushtria izraelite bombardoi 320 shtëpi në lindje të Khan Younis dhe shënjestroi 31 shtëpi pa asnjë paralajmërim, derisa banorët e tyre ishin brenda. Forcat izraelite synonin qëllimisht institucionet jetike në lindje të Khan Younis dhe shkelën ligjin ndërkombëtar duke penguar Mbrojtjen Civile dhe ekipet mjekësore të arrinin tek të plagosurit në sulme.
Gjithashtu thuhet se e gjithë përgjegjësia për vazhdimin e masakrave që synojnë civilët dhe humbjen e qindra jetëve i takon Izraelit dhe administratës amerikane.
Në deklaratë u bëhet thirrje gjykatave ndërkombëtare, komunitetit ndërkombëtar dhe të gjitha vendeve të botës së lirë që “të ndjekin penalisht kriminelët e luftës të kryera nga Izraeli; të ndalojnë menjëherë dhe urgjentisht këtë turp, krimin e gjenocidit dhe masakrat”.
Pavarësisht shpalljes së zonës së sigurt, ushtria izraelite ka nisur sulmet tokësore në lindje të Khan Younis që nga 22 korriku. Në deklaratën e ushtrisë izraelite herët në mëngjes, thuhej se divizioni 98 përfundoi mbrëmë “aktivitetet në rajonin Khan Younis”.
Organizata e Mbrojtjes Civile në Gaza njoftoi se sulmet shkatërruan 90 për qind të infrastrukturës në rajon.