Në Greqi, ku dy të rinj humbën jetën në dy vitet e fundit për shkak të ngjarjeve që lidhen me tifozët, qeveria ka vendosur në mesin e prioriteteve luftën kundër huliganizmit ndërsa opozita e ka kritikuar qeverinë për pamjaftueshmëri në këtë çështje, raporton Anadolu.
Pa mbaruar reagimet në opinionin publik ndaj vrasjes së 19-vjeçarit Alkis Kambanu në Selanik natën e 1 shkurtit 2022 nga mbështetësit e skuadrës kundërshtare, vrasja me thikë më 7 gusht e 29-vjeçarit Michail Katsouris, mbështetës të AEK-ut, gjatë një sherri që shpërtheu në lagjen Nea Filadelfia të Athinës mes mbështetësve të skuadrës greke AEK dhe Dinamo Zagrebit të Kroacisë, ka sjellë sërish në agjendën e qeverisë çështjen e dhunës në sport.
Kryeministri grek Kiryakos Mitsotakis priti në Athinë presidentin e UEFA-s, Aleksander Ceferin, dhe diskutoi masat që mund të zbatohen në emër të luftimit të huliganizmit me presidentët e 4 klubeve më të mëdha të futbollit të Greqisë: AEK, Panathinaikos, Olympiakos dhe PAOK.
Pas bisedimeve, qeveria greke renditi hapat e planifikuar që do të ndërmerren për të luftuar huliganizmin, të cilin Ceferin e përshkroi si “kanceri i futbollit”.
Në kuadër të vendimeve të reja, u njoftua se do të lejohet maksimumi një tifo grup për çdo ekip, se do të mbyllen tifo grupet e paautorizuara, se do të kryhen kontrolle dhe identifikim policor në hyrjet e tifo grupeve që shkaktojnë probleme dhe do të identifikohen me numrat e dyerve të stadiumit ku hyjnë, si dhe do të bëhet bashkëpunim me vendet e tjera evropiane në luftën kundër dhunës në sport.
U theksua se kur të jetë e nevojshme, mund të ndërmerren edhe masa të tjera, si mbyllja e dyerve të stadiumit, si dhe mos lejimi i skuadrave që shkaktojnë probleme për të marrë pjesë në garat në Evropë.
Policia po kërkon përgjegjësit
Në një konferencë të përbashkët shtypi me Ceferin, Mitsotakis pranoi se forcat policore ishin të pamjaftueshme në aktin e dhunës në Nea Filadelfia dhe vuri në dukje se qeveria është në dijeni të mangësive.
Ndërkohë që kanë nisur punimet për përcaktimin e përgjegjësve brenda strukturës së policisë, vihet në dukje se 7 persona janë pezulluar nga detyra.
Ministri grek i Mbrojtjes së Qytetarëve, Giannis Oikonomou, theksoi se puna vazhdon dhe se mund të pezullohen nga detyra persona të tjerë brenda policisë, përgjegjësia e të cilëve do të përcaktohet.
Nga ana tjetër, policia nuk ka mundur ende të identifikojë vrasësin e Katsouris. Në hetimin për sherrin që rezultoi me vdekjen e tij, është caktuar masa e paraburgimit për gjithsej 105 tifozë, 102 shtetas kroatë dhe 3 grekë.
Prapaskena e ngjarjes në Nea Filadelfia
Struktura Policore greke, në një deklaratë zyrtare të bërë një ditë pas ngjarjes në Nea Filadelfia, informoi se në sherrin në fjalë një person ka humbur jetën, ndërsa 8 të tjerë u plagosën.
Në deklaratë thuhet se 100-120 tifozë të Dinamo Zagrebit janë përleshur me tifozët e AEK-ut me gurë dhe shkopinj në bashkëpunim me disa tifozë grekë të futbollit.
Pavarësisht se dihej që tifozët e Dinamos së Zagrebit nuk do të lejoheshin në ndeshjen kundër AEK-ut në Athinë, në shtypin grek u komentua si dobësi e sigurisë që një grup prej rreth 100 personash, i përbërë nga mbështetësit e ekipit kroat, u lejuan të kalonin përmes kufirit grek me makinat e tyre private dhe nuk u penguan të hynin në zonën ku do të zhvillohej ndeshja.
Analisti i policisë, Stavros Balaskas, duke folur për kanalin televiziv ANT1 TV, deklaroi se huliganët e Dinamo Zagrebit ishin në kontakt me tifozët huliganë të Panathinaikos para se të arrinin në Athinë.
Reagim nga opozita
Teksa opozita akuzoi qeverinë për mungesën e parandalimit të dhunës në sport, kryesisht në incidentin në Nea Filadelfia, ajo kritikoi edhe ministrin Oikonomou për arsyen se nuk dha dorëheqjen pas incidentit.
Partia kryesore opozitare, Aleanca e Majtë Radikale (SYRIZA), në një deklaratë e komentoi si fiasko dështimin për të parandaluar aktin e dhunës që rezultoi në vdekjen e Katsouris. Ndërsa për Mitsotakis theksoi se “nuk i kushtoi rëndësinë e duhur faktit se 200 huliganë neonazistë nga Kroacia kaluan gjysmën e vendit pa pengesa dhe vrasjes tragjike e një të riu”.
Lëvizja Socialiste Panhelene (PASOK), në kritikën e saj drejtuar qeverisë, mbrojti idenë se në luftën kundër huliganizmit nuk u zbatuan ligjet dhe se nuk ka qenë e qartë se deri në çfarë mase mund të zbatoheshin masat e sapo shpallura. Duke tërhequr vëmendjen se masat në fjalë erdhën në rendin e ditës edhe pas vdekjes së Kambanut, PASOK vuri në dukje se personat e përfshirë në akte të dhunshme në sport duhet të mbahen përgjithmonë larg garave sportive.
Partia Komuniste e Greqisë (KKE) në një deklaratë theksoi se masat për të luftuar huliganizmin janë bërë ligje edhe nga qeveritë e mëparshme, por që këto masa nuk kanë dhanë asnjë rezultat për shkak se nuk është shkuar në themel të çështjes.
Duke pretenduar se grupet anonime që ndodhen brenda komunitetit sportiv kanë një pjesë të përgjegjësisë në aktivitetet e grupeve fashiste, KKE ka mbrojtur idenë se këto grupe fshehin aktivitetet e tyre kriminale nën maskën e tifozëve.
Në opinionin publik grek është komentuar se kundërshtitë janë edhe për shkak të mendimeve të ndryshme ideologjike mes grupeve të ndryshme të tifozëve huliganë.