Qeveria e Kosovës tha të enjten se nuk synon të përjashtojë asnjë serb që dëshiron të aplikojë për zyrtar policor në Drejtorinë Rajonale të Policisë në veri të Mitrovicës.
Më 4 janar, Policia e Kosovës ka hapur konkurs për pranimin e zyrtarëve të rinj nga komunitetet joshumicë për të mbushur vendet bosh që janë në këtë drejtori. Siç u bë e ditur, kusht kryesor është aplikuesi të jetë shtetas i Republikës së Kosovës dhe të jetë i moshës 18 deri 30- vjeç.
E nga Qeveria në një përgjigje me shkrim për Telegrafin, thanë se thirrja është e hapur për të gjithë ata që plotësojnë kriteret.
Zëdhënësi i ekzekutivit, Përparim Kryeziu, deklaroi se nuk synojnë që serbët t’i zëvendësojnë me shqiptarë.