Projektligji i cili është dorëzuar nga Qeveria në Kuvendin e Kosovës lidhur me monitorimin e mediave, përmes të cilit video incizimet dhe audio materialet e mediave online, do të kontrollohen nga Komisioni i Pavarur i Mediave, nuk është pritur mirë nga vet mediat. Ky projektligj me rregulloret të cilat i përmban, po konsiderohet si sulm dhe tendencë e qeverisë për të penguar mediat në punën e tyre.
Ndërsa, nga Komisioni i Pavarur për Media, kanë treguar se të gjitha mediat që prodhojnë video dhe programe audiovziuele, para publikimit të materialit, do t’u nënshtrohen rregulloreve të KPM-së.
Në lidhje me këtë projektligj, kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha ka thënë se qeveria përmes këtij projektligji ka treguar tendenca të tjera kundër mediave në vend.
“Ne e kundërshtojmë formën se si qeveria e ka paraqitur në Kuvendin e Kosovës, ligjin për KPM. Është një ligj i ri, i cili parasheh rregullimin e mediave online që ofrojnë video përmbajtje nga Komisioni i Pavarur i Mediave. Ne konsiderojmë që kjo është e pamundur sepse do të kufizonte pluralitetin e mediave por qëllimi i qeverisë që të shtojë numrin e anëtarëve të KPM-së, nga shtatë në njëmbëdhjetë, e shohim si tendencë nga kjo qeveri.
Pikat kryesore të ligjit kanë të bëjnë përveç tjerash se KPM bënë rregullimi dhe monitorimin e televizioneve dhe radiove dhe futjen në të njëjtin vend edhe të mediave online dhe dënimet mund të shkojnë deri 40 mijë euro, të cilat konsiderohen se janë të papërballueshme për secilën media online. Kjo na lë të kuptojmë që përkundër faktit që ligji në pjesën kryesore mund të jetë i shkruar mirë dhe lidhet me Bashkimin Evropian, në praktike kjo qeveri ka treguar tendenca për të kontrolluar KPM-në, dhe nëpërmjet saj për të disiplinuar mediat që janë kritike ndaj saj. I bëjmë thirrje qeverisë që të mos e dërgojë tutje’, tha Rexha.
Edhe drejtori i mediumit online “In Fokus”, Shkelzen Dakaj tha se shumë mediume online i përmbahen atyre rregullave dhe se nuk ka pasur nevojë për asnjë ligj për të kontrolluar mbi ato.
“E kemi një qeveri që kur ka ardhur në pushtet, ka një tendencë dhe një armiqësi për të kontrolluar mediat. Këtë rast me kontrolluar lirin e fjalës me censuruar atë që edhe vet demokracinë e një shteti. Mediat duhet të rregullohen, ne që jemi, njihemi si emër të kujt jemi, dihen gazetarët të cilët punojnë, pjesën dërmuese të rregullave që kanë paraparë ky ligj, ne as sot nuk i shkelim.
Nuk është arsyeja kjo pse ne po e kundërshtojmë këtë ligj. Problemi është që shumë media në Kosovë, ka qenë trend që plot individë kanë krijuar platforma online dhe sot e dëmtojnë edhe reputacionin e mediave, si duhet të kontrollohen ato. Ligji i cili nënkupton që nesër do të kontrolloj përmes KPM-së, atëherë kjo është një tendecë për të bërë një kontroll. Ne prej In Fokus kemi propozuar që mediat duhet të identifikohen, mediat të cilat kanë kryeredaktorë, redaktorë, gazetarë, që janë media kredibile duhet të promovohen më tepër që qytetari i rëndomtë të dijë se ku e merr informacionin”, tha Dakaj.
Kundër këtij projektligji janë shprehur edhe në Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK), organizoatë kjo e cila shqyrton të gjitha ankesat e qytetarëve dhe institucioneve lidhur me mediat.
Ndërsa, nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë në një përgjigje me shkrim për KosovaPress, kanë thënë se synimi i qeverisë përmes këtij projektligji është që të sigurohet një mbrojtje më e mirë për shoqërinë, ndaj transmetimeve mediatike.
“Misioni i OSBE-së në Kosovë mirëpret synimin e Qeverisë për ndryshim dhe plotësimin e Ligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM) në përputhje me direktivën e BE-së për Shërbimet Mediale Audiovizive. Me këtë do të sigurohet një kuadër më i zbatueshëm për mbrojtjen e konsumatorëve, promovimin e diversitetit kulturor dhe pluralizmin mediatik.Megjithatë, KPM-ja, duhet të ketë kujdes në zbatim të rregullimit, ashtu që të shmang kufizimin e papërshtatshëm të lirisë së shprehjes dhe ndikimin e padrejtë në përmbajtjen mediatike në platformat e shkëmbimit të videove në internet. Në veçanti, projektligji do të synojë artikulimin efektiv të standardeve dhe parimeve sipas së cilave do të nxirren aktet e nevojshme nënligjore”, kanë shkruar OSBE.
Kryetari i Komisionit të Pavarur për Media, Jeton Mehmeti tha se projektligjit, mediat online duhet të regjistrohen në KPM dhe t’u nënshtrohen rregulloreve që përmban KPM-ja.
“Projektligji për Komisionin e Pavarur parasheh disa nene dhe njëra prej tyre është edhe mediat online, gjithsesi në këtë kuptim ai projektligj sa e kemi parë ne parasheh që të gjitha mediat të cilat funksionojnë në Kosovë dhe ofrojnë programe audiovizuele, në kuptimin me video, duhet të regjistrohen në KPM. Ato media nuk kanë nevojën për licencë, por vetëm të regjistrohen dhe në atë moment ato duhet të i nënshtrohen rregullave dhe kodit të etikë së KPM.