RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Qindra kolonë izraelitë hyjnë në “Varrin e Jozefit” nën mbrojtjen e ushtrisë izraelite

qindra-kolone-izraelite-hyjne-ne-“varrin-e-jozefit”-nen-mbrojtjen-e-ushtrise-izraelite

Qindra kolonë izraelitë në orët e para të ditës së sotme kanë hyrë me forcë në “Varrin e Jozefit”, në pjesën lindore të Nablusit, në Bregun Perëndimor të pushtuar, ku kryen rituale talmudike nën mbrojtje të fuqishme të forcave izraelite, transmeton Anadolu.

Siç raporton agjencia zyrtare palestineze e lajmeve WAFA, automjetet ushtarake izraelite hynë në pjesën lindore të Nablusit dhe detyruan banorët e shtëpive përreth objektit të evakuohen. Sipas burimeve lokale, shtëpitë u shndërruan në pika ushtarake ndërsa snajperë izraelitë u vendosën në çatitë e disa banesave.

Autobusë me qindra kolonë hynë në pjesën lindore të qytetit dhe u drejtuan drejt “Varrit të Jozefit”, ku kryen rituale talmudike. Incidenti ndodhi në mes të inkursioneve të intensifikuara të kolonëve izraelitë në vendet e shenjta muslimane gjatë festës hebraike të Sukkotit, e cila filloi më 26 shtator dhe zgjat deri më 2 tetor.

Dje, sipas Departamentit të Vakëfit Islamik të Kudsit, rreth 2.500 kolonë izraelitë hynë në kompleksin e xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar gjatë festës, nën mbrojtjen e policisë izraelite. Inkursionet përfshinë rituale talmudike, lutje, vallëzime dhe këndime.

Vakëfi tha se më shumë se 1.500 kolonë hynë në kompleks të dielën, më shumë se 1.700 të hënën dhe mbi 1.400 të martën. “Varri i Jozefit” ndodhet në skajin lindor të Nablusit, në një zonë nën kontrollin palestinez dhe ai është një nga vendet më të tensionuara në Bregun Perëndimor.

Që nga pushtimi izraelit i Bregut Perëndimor në vitin 1967, besimtarët hebrenj e kanë konsideruar këtë vend një objekt të shenjtë fetar dhe besojnë se aty janë varrosur eshtrat e profetit Jozef, djalit të Jakobit. Arkeologët e kundërshtojnë këtë pretendim, duke theksuar se objekti është vetëm disa shekuj i vjetër dhe ka të ngjarë të jetë varri i një shehu musliman me emrin Yusuf Dweikat.

Related posts

Ligjvënësit amerikanë reagojnë ndaj sulmit në Venezuelë dhe “kapjes” së Nicolás Madurós

Muhamet Ramadani

Ushtria izraelite kryen bastisje në Bregun Perëndimor të pushtuar

admin

Në Spitalin e Pejës, pacientes i largohet tumori 10 kilogramësh

admin