RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

QUINT: Të mos nxiten tensione, s’është kusht betimi i kryetarëve në zyrat komunale

quint:-te-mos-nxiten-tensione,-s’eshte-kusht-betimi-i-kryetareve-ne-zyrat-komunale

Pesë shtetet e QUINT-it – Franca, Italia, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë thirrje për mosnxitje të tensioneve në veri të vendit, duke përfshirë këtu edhe betimin e kryetarëve të sapozgjedhur të katër komunave veriore në objektet komunale.

Sipas një reagimi, të publikuar në uebfaqen e Qeverisë britanike të enjten në mbrëmje, “nuk është kusht që betimi i kryetarëve të bëhet në zyrat komunale”.

Në komunikatë me katër pika, këto shtete kanë thënë se për shkak të bojkotit nga serbët, zgjedhjet nuk janë zgjidhje afatgjate politike për këto komuna. Këto shtete kanë thënë se duhet zgjidhje e qëndrueshme e kanë bërë thirrje për mostensionim.

Komunikata e plotë:

“Më 23 prill, u mbajtën në veri të Kosovës zgjedhjet për kryetarët në katër komuna dhe për asamble komunale në dy komuna, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe kërkesat ligjore. Por, pas bojkotimit nga një pjesë e madhe e komunitetit serb, rezultatet më nuk janë një zgjidhje afatgjate politike për këto komuna.

Ne i bëjmë thirrje të gjithë akterëve që urgjentisht të punojnë së bashku gjitha palët e interesit, përfshirë edhe komunitetet lokale, drejt një zgjidhje që siguron një përfaqësim të qëndrueshëm demokratik në këto komuna

Nuk duhet të ketë veprime apo iniciativa – përfshirë nga kryetarët e sapozgjedhur apo asamblistët komunalë – që nuk i shërbejnë njerëzve apo që rrisin tensionet. Këtu përfshihet edhe ushtrimi i më tepër fuqive administrative dhe procesin e marrjes së zyrës, pasi nuk ka një kusht që kryetarët duhet të betohen në zyrat komunale. Gjitha palët duhet të përmbahen nga përdorimi i dhunës apo veprimet që nxisin tensionet apo promovojnë konfliktin.

Ne përkrahim dialogun e lehtësuar nga BE-ja për të normalizuar marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, përfshirë nevojën që urgjentisht të bëhet përparim drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.

Të premten është paraparë që kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq të bëjë betimin. Një javë më parë, dy persona janë arrestuar pasi tentuan që ta bllokonin hyrjen e objektit të Komunës së Zveçanit. Disa ditë më vonë u intervistuan dy të tjerë, që policia i kapi tek saldonin portën hyrëse të godinës së Komunës së Zubin-Potokut. Në Ministrinë e Pushtetit Lokal nuk treguan se kur do të organizohen ceremonitë e betimit të kryetarëve të të tri komunave të tjera. Më 23 prill, në komunat veriore, të banuara me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin-Potok – janë mbajtur zgjedhjet e parakohshme, të cilat janë bojkotuar nga popullata lokale serbe. Partia e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, ka bërë thirrje për bojkotim të këtyre zgjedhjeve. Edhe Beogradi zyrtar e ka mbështetur bojkotin. Sipas të dhënave të Komisionit Qendror Zgjedhor, në zgjedhje kanë dalë 1.567 votues apo 3.47 për qind e trupit zgjedhor.

Komunat në veri patën mbetur pa kryetarë nga nëntori i vitit të kaluar, meqë përfaqësuesit serbë në atë zonë kanë dhënë dorëheqje nga vendet e tyre të punës, për shkak të mospajtimit me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe.

Related posts

73 gazetarë palestinezë të vrarë nga ushtria izraelite në Gaza që nga 7 tetori

admin6

Shtëpia e Bardhë: Lufta në Gaza mund të zgjasë me muaj

admin

Një palestinez qëllohet për vdekje nga forcat izraelite në Bregun Perëndimor – VIDEO

admin