Kolona e pikëllimit me 30 arkivole të mbetjeve mortore të viktimave të Srebrenicës të vrarë në korrik 1995, kur u krye gjenocidi në enklavën e Srebrenicës, një zonë e mbrojtur e Kombeve të Bashkuara (OKB), u shoqërua para Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës (BeH) në Sarajevë, raporton Anadolu.
Në rrugën kryesore të Sarajevës, mbretëroi heshtja kur kolona me arkivole u shfaq në fillim të rrugës. Qytetarë të shumtë, familje të viktimave, miq dhe të afërm, të cilët u mblodhën para ndërtesës së Presidencës së BeH-së, shoqëruan kolonën me arkivole me lot dhe recitim të Fatihasë. Shumë qytetarë iu afruan kamionit me mbetjet mortore dhe i bënë homazhe me lule viktimave të gjenocidit.
Para ndërtesës së Presidencës së BeH-së, në përcjelljen e viktimave të Srebrenicës, përveç familjeve të viktimave, ishin edhe anëtarët e Presidencës së BeH-së, Denis Beqiroviq dhe Zheljko Komshiq, përfaqësues i lartë për BeH-në, Christian Schmidt, Muftiu i Sarajevës Enes ef. Ljevakoviq, Ambasadori i Türkiye-s në BeH, Sadik Babur Girgin dhe shumë përfaqësues të tjerë të niveleve të ndryshme të qeverisjes dhe qytetarëve.
Në kamionin me mbetjet mortore të viktimave të gjenocidit u shfaq flamuri i BeH-së. Qytetarë të shumtë të Sarajevës u mblodhën gjithashtu përgjatë rrugës qendrore të qytetit, me lule në duar, për të përcjellë kolonën me arkivole dhe për të nderuar viktimat e gjenocidit në Srebrenicë në vitin 1995.
I shoqëruar nga policia dhe qytetarët, kamioni me mbetjet mortore të viktimave të Srebrenicës vazhdoi rrugëtimin e tij, duke u ndalur te Monumenti i Fëmijëve të Vrarë të Sarajevës, Tregu i Qytetit, gjegjësisht te memoriali i viktimave të Sarajevës.
Kolona me arkivolet e viktimave të gjenocidit u nis nga Visoko për në Potoçari mëngjesin e sotëm.
Këtë vit, mbetjet mortore të 30 viktimave të gjenocidit të kryer në korrik 1995 kundër banorëve të “zonës së mbrojtur të OKB-së” në Srebrenicë do të varrosen në varrezat e Qendrës Përkujtimore në Potoçari.
Tužna povorka sa tabutima 30 žrtava genocida stigla u Potočare https://t.co/vDyyllOxsy #Srebrenica #BiH #genocid #Potočari #Srebrenicagenocide pic.twitter.com/O3HKA2fnZn
— Anadolu BHSC (@aa_balkans) July 9, 2023