RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Rama akuzon Qeverinë se po pengon projektet madhore për kryeqytetin

rama-akuzon-qeverine-se-po-pengon-projektet-madhore-per-kryeqytetin

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se Qeveria Kurti nuk po e trajton kryeqytetit si të sajin.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Rama ka akuzuar nivelin qendror për pengim të disa projekteve madhore, siç është Unaza e Kryeqytetit dhe ndërtimi i rrugës “Agim Ramadani”.

Ai ka theksuar se edhe projektit të ish-objektit “Gërmia”, ku është planifikuar të ndërtohen salla koncentrale dhe muzeu, i janë pamundësuar punimet si shkak i masave të BE-së ndaj Kosovës, ku si pasoja shuma e destinuar prej 20 milionë eurosh është bllokuar.

Mirëpo, përkundër kësaj, Rama është shprehur i bindur se projektet e planifikuara do të përfundojnë, shumica e të cilave, siç tha ai, janë të bashkëfinancuara nga sektori privat.

Ai ka thënë se dhjetëra prej tyre tashmë janë publikuar dhe kanë filluar, ndërsa edhe për vonesat në fillimin e disa projekteve, ai e ka akuzuar nivelin qendror.

Për projektin e “Tregut të Gjelbër”, i publikuar vitin e kaluar në vlerë 5.7 milionë euro, Rama ka thënë se do të fillojë këtë vit dhe se kanë dy mundësi për të.

“Projekti i Tregut të Gjelbër është i përfunduar edhe i kemi dy procese tash në tavolinë. Ne e kemi përcaktuar një fond i cili e përmbush mundësinë për ta zhvilluar fazën e parë, mirëpo kur e kemi bërë konferencën për investitorë, në janar të këtij viti, e kemi paraqitur edhe tregun si një investim potencial, kështu që kemi pasur disa investitorë që janë të interesuar bashkë për investim. Pra, komuna me tokë, ata me investim. Edhe këtë do ta shtyjmë përpara. E kemi në proces për me ngritë në Asamble, për me dërgua si bashkë-investimin edhe kjo do të ndodhë menjëherë sivjet, do të fillojë në njërën apo tjetrën anë. Pra, i kemi edhe fondet e buxhetuara, por e kemi edhe mundësinë që ta kryejmë të gjithë investimin prej 5.7 milion nga sektori privat. Ne si kryeqytet vetëm se i kemi ndarë 1.2 milionë që ta kryejmë fazën e brendshme. Njëra apo tjetra do të fillojë sivjet”, ka thënë ai.

Sa i përket ndërtimit të rrugës “Agim Ramadani”, Rama ka thënë se edhe pse është tenderuar, është ndalur nga institucionet e nivelit qendror me arsyetimin se në atë pjesë mund të ketë gjetje parahistorike.

“Kemi shumë projekte që janë publikuar dhe shumë kanë filluar. Kemi një numër të madh të projekteve që i sheh nëpër të gjitha pikat e kryeqytetit. Mirëpo, projekte madhore, ato vetëm se i kemi tenderuar, kemi tenderuar rrugën ‘Agim Ramadani’. Projektet e mëdha kërkojnë një dizajnim. Rruga ‘Agim Ramadani’, që është madhore për kryeqytet, ka dalë në tender, për momentin është e bllokuar nga Instituti për Mbrojtje të Monumenteve, për arsye që supozohet që mund të ketë gjetje parahistorike. Është pak abstrakte arsyeja pse na ka ndalur procesin, është i gjithi i gatshëm, mundet me fillu menjëherë, mirëpo tash po ballafaqohemi me institucione qendror për me shty çështjen përpara”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se qeveria është duke refuzuar që të investojë edhe në Unazën e Kryeqytetit, dhe se këtë komunë nuk është duke e trajtuar si të vetën.

Rama ka theksuar se në shtator dy kompani nga Zvicra do të prezantojnë në Prishtinë projekte të tyre prej miliarda euro, që do të investohen në zonën e Stacionit të Autobusëve.

Related posts

”Lufthansa” anulon më shumë se 1 000 fluturime

admin

Analiza/ Tërheqja e Presidentit Biden nga gara, shkakton konfuzion lidhur me sfidat globale

admin

Flamuri i Kosovës vendoset në objektin e Komunës së Leposaviqit

admin