Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Kosova ka mbështetjen e qeverisë së drejtuar prej tij dhe të Shqipërisë, në lidhje me tensionet e krijuara në veri.
Deklaratën Rama e dha gjatë prezantimit të projektit për Portin e ri të Durrësit, ku tha se kryeministri Albin Kurti e kishte të pamundur të vinte.
“Së pari dëshiroj të përshëndes kryeministrin Kurti dhe kryeministrin Kovaçevski, të dy e patën të pamundur të ishin sot këtu, për arsye angazhimesh. Në rastin e kryeministrit të Kosovës, e merrni vetë me mend që pamundësia lidhet me situatën e krijuar së fundmi në veriun e Kosovës,” tha Rama.
“Situatë në të cilën qeveria e Kosovës dhe Republika e Kosovës kanë të gjithë solidaritetin, mirëkuptimin dhe mbështetjen e qeverisë sonë dhe të Republikës së Shqipërisë”, theksoi kreu i qeverisë.
Situata në veri të Kosovës vazhdon të jetë e tensionuar. Rrugët në drejtim të kufijve Jarinje dhe Bërnjak vazhdojnë të mbeten të bllokuara. Numër pothuajse simbolik i qytetarëve kanë kaluar natën në tenda pranë barrikadave.
Mësohet se mësimi në shkollat fillore dhe të mesme në katër komunat veriore të Kosovës sot nuk po mbahet. Po ashtu, dyqanet në veri të Mitrovicës këtë mëngjes janë parë të mbyllura.
Pjesëtarët e Policisë së Kosovës po vazhdojnë patrullimin e tyre nëpër zonat me popullatë të përzier në veri të Mitrovicës, duke iu ofruar siguri dhe rend të gjithëve pa dallim.
Barrikadat në dy pikat kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak u ngritën më 10 dhjetor nga grupe kriminale serbe, si shenjë proteste ndaj arrestimit të ish-policit serb, Dejan Pantiq, nga autoritetet e rendit në Kosovë.