RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Rama mbi pezullimin e ratifikimit të protokollit Shqipëri-Itali: Është e drejtë e Gjykatës Kushtetuese

rama-mbi-pezullimin-e-ratifikimit-te-protokollit-shqiperi-itali:-eshte-e-drejte-e-gjykates-kushtetuese

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në lidhje me pezullimin e procesit të ratifikimit në Kuvend të protokollit Shqipëri-Itali për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit, ka deklaruar se një vendim i tillë është e drejtë e Gjykatës Kushtetuese, raporton Anadolu.

Në një konferencë për mediat nga selia e Këshillit të Ministrave të Shqipërisë, së bashku me ministrin e Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete, Rama foli mbi samitin e djeshëm BE-Ballkani Perëndimor të mbajtur në Bruksel, pezullimin e procesit të ratifikimit të protokollit Shqipëri-Itali për çështjen e emigracionit dhe çështje të tjera.

“Është e drejta e Gjykatës Kushtetuese, është e sanksionuar në Kushtetutë detyra automatike e Gjykatës Kushtetuese për të qëmtuar një marrëveshje ndërkombëtare përpara ratifikimit të saj. Kështu që unë s’kam asgjë për të shtuar këtu sepse nuk shoh asgjë që të lidhet me detyrat e mia”, tha Rama, në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese mbi protokollin Shqipëri-Itali për emigracionin.

Kryeministria Rama shtoi më tej se fakti që Shqipëria ka një Gjykatë Kushtetuese që merr vendime që mund të mos i shkojnë përshtat planit që ka qeveria, sipas tij është mirë për Shqipërinë.

Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë të publikuar më 13 dhjetor, është pezulluar procesi i ratifikimit në Kuvend të “Protokollit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Italiane, për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit”, parashikuar për në seancën e datës 14 dhjetor.

Gjykata Kushtetuese ka vendosur të kalojë në shqyrtim kërkesën e deputetëve të opozitës mbi kontrollin e kushtetutshmërisë së protokollit të nënshkruar më 6 nëntor 2023, mes Shqipërisë dhe Italisë.

Për samitin e 13 dhjetorit BE-Ballkani Perëndimor, Rama tha se në samit u diskutua perspektiva në rrugën e integrimit evropian, u vu në pah progresi i bërë, u fol për procesin e normalizimit mes Serbisë dhe Kosovës dhe për nevojën e linjëzimit të plotë të të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian në aspektin e politikës së jashtme.

“Më vjen shumë mirë të ndaj sot me ju faktin se vendet anëtare (të BE-së) kanë një vlerësim shumë pozitiv për progresin e Shqipërisë dhe posaçërisht nga ana e Komisionit Evropian vlerësohet me nota shumë pozitive performanca e skuadrës sonë kombëtare të negociatave në fazën e parë, tanimë të përmbushur, të skanimit të krejt organizmit shtetëror të Shqipërisë, si dhe të tregjeve tona”, u shpreh Rama.

Duke iu referuar edhe qëndrimeve të fundit të Greqisë për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, Rama tha se “Në raport me çështjen e dallimit aktual mes nesh edhe Greqisë, unë nuk jam zgjatur, por kam nënvizuar se kjo është një çështje mes nesh, që ne duhet ta trajtojmë mes nesh dhe që në të gjitha rastet është një çështje që përsa në takon si Shqipëri, ne nuk e shohim të lidhur as me procesin e negociatave, por as me përmbajtjen e marrëdhënies tonë me Greqinë, e cila është një partner strategjik i Shqipërisë, e cila është një vend fqinj me të cilin ne duam t’i thellojmë marrëdhëniet e fqinjësisë, të thellojmë bashkëpunim dhe patjetër të forcojmë miqësinë, duke bërë gjithçka që na takon ne dhe ne duam të jemi një vend evropian në Ballkan, jo një shtet ballkanik në BE”.

Kujtojmë se çështja ndaj kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës, që i përket minoritetit grek, Alfred Beleri, i cili akuzohet për “korrupsion aktiv në zgjedhje” dhe që ndodhet në paraburgim, solli në vëmendje qëndrimin e Greqisë në lidhje me procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, ndërsa çështja në fjalë ka shkaktuar reagime në të dyja vendet.

Në lidhje me çështjen Beleri, Greqia ka paralajmëruar më parë se do të bllokojë anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian (BE), duke theksuar “respektimin e të drejtave të pakicave etnike të vendit”.

Ministri i Financave dhe Ekonomisë i Shqipërisë, Ervin Mete, u shpreh se sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të Shqipërisë është miratuar akti normativ për disa ndryshime të buxhetit të vitit 2023, sipas tij me synim kryesor plotësimin e paketës së solidaritetit, plotësimin e kësaj pakete për një sërë shtresash në nevojë.

Related posts

Dodiku ofendon diplomatin amerikan

admin6

Presidentja Osmani thotë se Serbia i ka fuqizuar strukturat e sigurisë duke i shndërruar në banda

admin

Ndërron jetë ambasadori i RMV-së në Berlin

admin