RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Rama: Minoriteti grek nuk është mish për topat elektoralë të askujt

rama:-minoriteti-grek-nuk-eshte-mish-per-topat-elektorale-te-askujt

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në lidhje me çështjen e arrestimit të kandidatit të disa partive opozitare për kryetar të Bashkisë Himarë, që i përket minoritetit grek dhe pas reagimeve të zyrtarëve grekë, ka theksuar se beson që “minoriteti grek nuk është mish për topat elektoralë të askujt, as në Shqipëri, as në Greqi”, transmeton Anadolu.

Në një konferencë për mediat në lidhje me zgjedhjet vendore të 14 majit, Rama iu përgjigj edhe pyetjeve në lidhje me çështjen në fjalë, ku ndër të tjera theksoi se zgjedhjet në Himarë “janë zhvilluar me qetësi të plotë, aty është votuar pa asnjë pengesë, pa asnjë incident”.

“Sa i përket çështjes së Himarës, dua të jem shumë i qartë. Së pari, dua të respektoj zgjedhjet në Greqi dhe të mirëkuptoj inflamimin e retorikës, duke u përpjekur për sa më shumë urtësi dhe vetëpërmbajtje nga ana ime dhe nga ana jonë sepse kemi bërë një punë të jashtëzakonshme, së bashku me qeverinë greke, me Kryeministrin (Kyriakos) Mitsotakis, me ministrin e jashtëm (Nikos) Dendias për të ngritur një urë të re të madhe, të gjerë dhe të fortë bashkëpunimi dhe për ta çuar në një nivel tjetër marrëdhënies mes Shqipërisë dhe Greqisë dhe unë nga ana ime jam i vendosur të bëj maksimumin përpara sesa të jem i detyruar të reagoj profesionalisht”, është shprehur Rama.

Rama ka shtuar më tej se “kam dëgjuar shumë dhe praktikisht, kam preferuar të mos flas dhe nuk do flas deri në mbarimin e zgjedhjeve në Greqi, lidhur me këtë, duke shpresuar që pas zgjedhjeve në Greqi do ketë dialog dhe jo deklarata, të cilat i kam dëgjuar të bëhen, jo vetëm nga përfaqësues të qeverisë greke, por dhe nga parti politike të opozitës, parti simotra, si Syriza apo PASOK-u”.

Arrestimi i Alfred Belerit

Kujtojmë se Policia e Shqipërisë arrestoi më 12 maj kandidatin e disa partive opozitare për kryetar të Bashkisë Himarë, në Qarkun e Vlorës, Alfred Beleri, të akuzuar për veprën penale “korrupsioni aktiv në zgjedhje”, cili pas përfundimit të numërimit të votave rezultoi fitues.

Arrestimi i Belerit, i cili njihet si anëtar dhe mbështes i minoritetit grek në Shqipëri ka shkaktuar reagime të partive politike dhe të zyrtarëve të institucioneve të ndryshme në Shqipëri, por edhe në Greqi.

Ndërkohë, kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, gjatë një vizite të fushatës zgjedhore në periferi të Athinës, tha se perspektivat evropiane të Shqipërisë varen tërësisht nga respektimi i të drejtave të pakicës së saj etnike greke në vend.

Nga ana tjetër, zgjedhjet e përgjithshme në Greqi do të mbahen më 21 maj.

Related posts

‘”CEFTA” aktualisht në fije të perit’, Ministri Gjerman: Konflikti Kosovë-Serbi s’mund të pengojë marrëveshjen e tregtisë së lirë

admin

Ergys Mërtiri: Si i lënë shqiptarët fëmijët në jetimoret e Francës

admin

Koci: E kam parë trupin e Fatonit, gjendja ishte jo e mirë

RTI