Kur ata që e urrejnë bëhen moralisht më të ulët se ai
“Mos ju shtyjë urrejtja që të bëni padrejtësi”, thuhet në Kur’an, ku Zoti këshillon robërit e Tij që mos kalojnë caqet morale ndaj dikujt ku dhe me të drejtë mund ta urrejnë, duke i mveshur gjëra të pavërteta ose duke i bërë padrejtësi të llojeve të tjera.
Ky ishte rasti dje me pamjet e shpërndara të Ramës diku në Zvicër, shoqëruar nga një koment krejtësisht i shpifur se kinse ai po shpenzonte paratë e shqiptarëve. E paprovuar, kjo është tipikisht një shpifje e shpifur e atij që urrejtja, sado legjitime, e çon në padrejtësi. Ne nuk mund ta luftojmë të keqen e një njeriu me shpifje, sajesa e të tjera sjellje të padenja ndaj tij nën vlim urrejtje për të këqijat e tij në qeverisje.
Rama vetë i është përgjigjur orë më vonë kësaj, duke shkruar e finalizuar atë që ka shkruar me referimin në librat e shenjtë, ku më saktë, ajo që pretendon gjendet në Kur’an. Aty, paragjykimi(akuza pa fakte) konsiderohet më i rëndë se vrasja.
“Kur shoh se si bota ku jetojmë është bërë gjithnjë e më shumë falë rrjeteve sociale, lëndina ku ferrat e pafundme të rrenës shumohen me shpejtësinë e klikimit, ndërsa lulet e së vërtetës mbyten rëndom nga ferrat, më shkon gjithnjë mendja tek Librat e Shenjtë, ku shpifësi shfaqet edhe më i keq se vrasësi”, shkruan ai në fund të një reagimi, pasi mbrohet duke thënë pak më sipër:
“Në thuajse tre dekada shërbim publik unë kurrë nuk kam udhëtuar privatisht me lekët e shtetit dhe e njëjta gjë vlen edhe për familjen time.
Në 13 vjet në detyrën e kryeministrit unë dhe familja ime kurrë nuk kemi shkuar me pushime jashtë shtetit.
Në Zvicër isha i ftuar privatisht nga ArtBasel, panairi i përvitshëm i galerive më prestigjoze të artit në botë, ku janë prezantuar edhe vepra të miat. Kemi udhëtuar dhe qëndruar një ditë e gjysmë me bashkëshorten, si gjithnjë në këto raste plotësisht me shpenzimet tona”.
Dhe në fakt, shpërndarësi i pamjeve me komentin shoqërues të pretendimit se ai po bënte qejf më paratë e shqiptarëve, është një personazh shumë i rëndomtë për t’u bërë referencë lajmi. Pos kësaj, nuk sjell asnjë provë konkrete e të besueshme për atë që thotë e pretendon.
Nuk është fare e nevojshme që ndaj Ramës të shpifet në erë, kuturu. Ai është një udhëheqës me prova të tjera të qarta mbi keqbërjet e tij ndaj vendit dhe njerëzve që qeveris. Dhe mbi ato le të gjykohet, siç dhe po gjykohet në shesh. /tesheshi

