RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Rama, Neroni kokëposhtë i krizave

rama,-neroni-kokeposhte-i-krizave

Nuk i bie harpës, por shfrytëzon zjarrin për të ndërtuar propagandën e një shteti që “reagon”

Edi Rama ngjan me një Neron të kthyer kokëposhtë. Nuk është ai sundimtari që, sipas legjendës, qëndronte duke i rënë harpës ndërsa Roma digjej.

Rama nuk rri duarkryq. Përkundrazi, ai shfaqet, komunikon, mobilizon, komenton dhe e dokumenton betejën me flakët.

Por problemi është pikërisht këtu: nuk e shfrytëzon mosveprimin si spektakël, por e shfrytëzon reagimin ndaj krizës si propagandë.

Zjarri në Krujë është shembulli i fundit. Qindra njerëz u angazhuan në terren, u përdorën helikopterë, dronë dhe mjete të tjera për të frenuar flakët.

Të gjithë ata që luftuan me zjarrin meritojnë respekt. Por nga kjo nuk rrjedh automatikisht suksesi i qeverisë.

Përkundrazi, duhet të lindë pyetja se çfarë bëri qeveria përpara se të vinte momenti i heroizmit. Sepse një shtet serioz nuk fillon të mendojë për zjarrin kur mali ka marrë flakë.

Ai mendon për të në dimër. Pastron pyjet, hap korridore mbrojtëse, kontrollon territorin, forcon shërbimet zjarrfikëse, vendos sisteme vrojtimi dhe alarmi të hershëm, ndëshkon ata që ndezin zjarre dhe përgatit strukturat vendore për skenarët e emergjencës.

Gjtihsesi, këto janë punë të mërzitshme, të padukshme dhe pa shumë vlerë për propagandën e ditës. Ndërsa një helikopter mbi flakë, është një imazh i përsosur për marketingun politik.

Kjo është arsyeja pse Rama duket gjithnjë më bindës në momentin e krizës sesa në parandalimin e saj. Ai di të shfaqet si komandant kur situata është përshkallëzuar, por pyetja e vërtetë është se ku ishte shteti përpara alarmit.

Nëse zjarret përsëriten çdo verë, ato nuk janë më një surprizë. Nëse shumica e tyre lidhen me aktivitetin njerëzor, atëherë edhe shkaqet janë të njohura.

Nëse temperaturat e larta dhe thatësira janë të parashikueshme, atëherë edhe përgatitja duhet të jetë e parashikueshme. Megjithatë, Shqipëria vazhdon të sillet sikur çdo verë të ishte një fatkeqësi e paparashikuar.

Dhe këtu propaganda bëhet njw problem politik. Sepse në vend që të diskutohet pse ndodhi krizadhe çfarë duhej bërë për ta parandaluar, publikut i ofrohet spektakli i reagimit: numri i forcave të angazhuara, mjetet e përdorura, pamjet nga terreni dhe deklaratat për “heronjtë”.

Heronjtë janë realë. Por suksesi politik nuk duhet të ndërtohet mbi sakrificën e tyre. Rama nuk është përgjegjës për çdo zjarr që shpërthen në Shqipëri. Megjithatë ai është përgjegjës për mënyrën se si shteti përgatitet për zjarret që di se do të vijnë.

Dhe kjo është ajo që përpiqet të mjegullojë propaganda. Të menaxhosh një krizë nuk do të thotë se e ke parandaluar atë.

Në kushtet e vështira politike ku ndodhet qeveria, tundimi për ta kthyer çdo emergjencë në një histori suksesi është edhe më i madh. Një kryeministër nën presion ka nevojë për imazhe force, vendosmërie dhe kontrolli.

Dhe zjarret ia japin këtë mundësi: një armik të dukshëm, një betejë të dramatizueshme dhe një fund që mund të paraqitet si fitore.

Por Shqipëria nuk qeveriset me imazhe. Banorët që panë flakët t’u afroheshin shtëpive nuk kanë nevojë për një video të bukur të operacionit.

Ata duan të dinë pse shteti nuk ishte mjaftueshëm i përgatitur përpara se zjarri të merrte përmasa.

Prandaj metafora e Neronit kokëposhtë, është më e përshtatshme se sa duket. Rama nuk i bie harpës ndërsa vendi digjet. Ai merr mikrofonin. Dhe ndërsa zjarrfikësit luftojnë me flakët, ai lufton diskretitimin e qeverisjes së tij përmes dhjetëra skandaleve dhe dështimeve me imazhin e krizës.

Kjo është tragjedia e një qeverisjeje që e ka kthyer emergjencën në skenë politike: zjarri shuhet, por propaganda vazhdon të digjet. tesheshi

Related posts

OKB: Nevojiten zgjidhje të qëndrueshme strehimi pasi stuhitë dëmtojnë mijëra strehë në Gaza

admin

1200 emigrantë bllokohen në jug të Siçilisë, rrezikojnë të mbyten në anijet e peshkimit

Muhamet Ramadani

Kryepeshkopi gjerman Bentz reagon ndaj sulmit të Izraelit ndaj palestinezëve që prisnin për ndihma

Muhamet Ramadani