RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Rama: Porti i Durrësit motor ekonomik, do sjellë 8 miliardë euro në PBB

rama:-porti-i-durresit-motor-ekonomik,-do-sjelle-8-miliarde-euro-ne-pbb

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se porti i Durrësit do të jetë një motor ekonomik që do të sjellë një vlerë prej 8 miliardë euro në Prodhimin e Brendshëm Bruto.

Në fjalën e tij në Kuvend, ku po shqyrtohet projektligji për miratimin e marrëveshjes kuadër, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Eagle Hills Real Estate Development, Albanian Seaports Development Company, sh.a. dhe Nshmi Development L.L.C, në lidhje me projektin e investimit strategjik “Marina & jahtet e Durrësit”, Rama tha se “ky projekt do të ngrejë peshë vlerën e Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, si dhe vlerën e të gjithë hoteleve në bregdetin e Durrësit”.

Duke folur për këtë projekt, kreu i qeverisë theksoi se “janë pranuar vetëm 5 nga 33 kërkesa fillestare të investitorit, i cili na ballafaqonte pa pushim me kontrata të ngjashme në vende të tjera dhe ne këmbëngulnim pa pushim për atë që donim deri në fund. Deri tek marrëveshja për investimin më të madh të huaj edhe në historinë e rajonit tonë, i cili sipas fazave do të jetë motor ekonomik me një kontribut 8 miliardë euro në PBB”.

“Është garantuar imuniteti i pronës publike nga çdo lloj mundësie hipotetike cenimi. Kontrata parashikon se në rast moszbatimi nga investitori, shkohet deri në marrjen e gjithçkaje që ai ka bërë deri atëherë. Këto janë vetëm disa nga detajet e panumërta të një kontrate për të cilën jemi krenarë që ia sjellim këtij Kuvendi. Me siguri do të kemi rast dhe kohë, fatmirësisht pa limit, që t’i përballim ‘dokrrat e hinit’, siç i ka quajtur Gjergj Fishta, prodhimet e zjarrit të akuzave, të shpifjeve, të cilit i është fryrë me një tërbim të veçantë në rastin e projektit të portit të ri turistik të Durrësit”, tha Rama.

Rama tha se “dikur në kohën kur në Shqipëri sapo kishte nisur të qeveriste Napoleoni i gjirizave, zbriti në Durrës një Piter Man, përfaqësues i sërës së lartë nga Kanadaja. Ai ia kishte vënë syrin portit të Durrësit për ta kthyer në një portë të re joshëse për Mesdheun pranë amfiteatrit më të madh që romakët ndërtuan jashtë Romës. Ishte diku viti 2006. Iku me të katra sipërmarrësi për në Mal të Zi ku ndryshoi përgjithmonë vendin fqinj me Porto Montenegro. Shihni bilancet e pagesës në Mal të Zi. Atje pati rritje të ndjeshme të rrogave në sektorin privat dhe publik. Hapni sytë. Po ç’t’i hapni sytë, s’ju lë mallkimi që keni mision. Ai investim ishte 10 herë më i vogël se ky që do të bëjmë ne për Durrësin, që nëse s’do ishte trajtuar si lodër në duart e tyre të pista, do kishim prej vitesh portin turistik dhe shqiptarët do kishin të mirat dhe të ardhurat e mëdha që do i sillte vendit tonë, jo Malit të Zi”. /atsh

Related posts

SHBA: Luftimet në Ukrainë me ritme të ngadalësuara; përgatitje për kundërofensivë në pranverë

admin

Vlerësime negative për klinikat e tyre, afër 60 mjekë në Japoni ngrenë padi ndaj Google Maps

admin

Abdixhiku kërkon dorëheqjen e Kurtit, thumbon edhe PDK-në

RTI