RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Qeveria e Maqedonisë së Veriut me masat e reja pret uljen e çmimeve të produkteve ushqimore

qeveria-e-maqedonise-se-veriut-me-masat-e-reja-pret-uljen-e-cmimeve-te-produkteve-ushqimore

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovacevski, në një konferencë për media ka informuar për funksionalizimin e vendimit të qeverisë që parashikon çmim të subvencionuar të energjisë elektrike për industrinë ushqimore, shkollat ​​dhe kompanitë e ujit që punojnë me stacionet e pompimit, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryeministri Kovaçevski tha se ndikimi përfundimtar i kësaj mase, për të cilën afati për aplikim zgjati deri dje, do të jetë stabilizimi dhe ulja e çmimeve të produkteve finale.

Ai theksoi se në kushtet e krizës energjetike shkollave fillore dhe të mesme u mundësohet që të lidhin kontrata për furnizim me energji elektrike me çmim prej 95 euro për megavat orë, ngjashëm si dhe ndërmarrjeve publike për menaxhim të ujit.

“Nga 477 shkollat ​​publike fillore dhe të mesme të shtetit, 233 shkolla nga të gjitha qytetet aplikuan për furnizim të subvencionuar. Nga 70 ndërmarrjet publike në fushën e menaxhimit të ujërave, grumbullimit dhe largimit të ujërave të zeza urbane dhe pastrimit të ujërave të zeza që operojnë me stacionet e pompimit apo trajtimit, kanë aplikuar 50 subjekte”, tha Kovaçevski.

Sa i përket sektorit privat, ai tha se energjia elektrike ofrohet me 80 euro për megavat orë për kompanitë që prodhojnë produkte ushqimore bazë, gjegjësisht kompanitë që prodhojnë vaj për gatim, bukë dhe produkte furre, miell, qumësht dhe produkte qumështi, si dhe industrisë së mishit dhe fermave.

“Nga kategoria e personave fizik dhe juridik të regjistruar në sektorin e ushqimit kanë aplikuar 235 subjekte. Subjektet që nuk kanë dorëzuar dokumentet e plota do të mund ta bëjnë këtë në periudhën e ardhshme dhe do të vendosen në furnizim të subvencionuar nga 1 janari”, shtoi Kovaçevski.

Ai theksoi se qeveria mbetet e përkushtuar në mbështetjen e qytetarëve dhe kompanive, duke shtuar se me dy pako masash kundër krizës janë ndarë gjithsej 760 milionë euro.

Në konferencën për media morën pjesë edhe ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi dhe drejtori i përgjithshëm i kompanisë së prodhimit të energjisë elektrike ESM, Vasko Kovaçevski.

Ministri Bekteshi tha se çmimi i energjisë elektrike i ofruar për kompanitë është më pak se gjysma e çmimit në tregun e rregulluar.

Megjithatë, ai tha se nga rreth 1.000 subjekte që kanë mundur të përfitojnë energji elektrike më të lirë, kanë aplikuar vetëm 235 subjekte. Megjithatë, ai tha se pret që çmimet e ushqimeve bazë të ulen nga 1 dhjetori, duke shtuar se qeveria mund të ndërhyjë nëse kjo nuk ndodh.

“Ulja me 10 për qind është reale sipas të gjitha analizave të bëra nga Ministria e Ekonomisë dhe institucionet e tjera”, tha Bekteshi, duke shtuar se për shumicën e këtyre kompanive vlen masa për marzhë të kufizuar tregtare prej 10 për qind.

Ai është shprehur i pakënaqur edhe me numrin e shkollave të paraqitura, duke pasur parasysh faktin se nuk janë paraqitur as gjysma e shkollave fillore dhe të mesme.

Drejtori i ESM-së, Vasko Kovaçevski, deklaroi se ende janë duke u bërë llogaritjet dhe nuk ka të dhëna të sakta për sasinë totale të energjisë elektrike që do të duhet të sigurohet për kategoritë e reja të konsumatorëve për të cilët parashihet çmimi i subvencionuar i energjisë elektrike.

Ai përkujtoi se qysh më parë ishin obliguar nga qeveria që të furnizojnë pothuajse të gjitha institucionet shëndetësore dhe një pjesë të madhe të institucioneve vitale të shtetit.

Related posts

Zgjedhjet presidenciale në Turqi, mbi 1.89 milionë shtetas turq jashtë vendit votuan në raundin e dytë

rezart morina

IPK nis hetimet për trajtimin e rastit të vrasjes së 35- vjeçares

admin

Sekuestrohen 65 kg marihuanë në Shkodër

rezart morina