RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Rama takon kryeministren italiane

rama-takon-kryeministren-italiane

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u prit sot nga kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, në kuadër të vizitës zyrtare që po zhvillon në Itali, transmeton Anadolu.

Në një njoftim nga Kryeministria e Shqipërisë thuhet se takimi kokë me kokë i kryeministrit Rama dhe homologes italiane, u pasua nga një takim i përbashkët mes dy delegacioneve.

“Miqësia tradicionale Shqipëri – Itali dhe vullneti për të thelluar bashkëpunimin e shkëlqyer mes dy vendeve, ku pa diskutim ka një potencial të madh për të bërë shumë më tepër akoma, u rikonfirmua njëzëri edhe në këtë takim. Forcimi i mëtejshëm i marrëdhënieve në fushën ekonomike, ishte një tjetër temë e diskutuar gjerësisht në takim, ku Italia si partnere strategjike e Shqipërisë, ka një rol tejet të rëndësishëm në këtë drejtim edhe përmes prezencës gjithnjë në rritje të sipërmarrjeve italiane në vendin tone”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu theksohet se gjatë takimit u diskutua mbi mundësitë e investimit që ofron Shqipëria në shumë sektorë potenciale, si energjia, infrastruktura, bujqësia, e veçanërisht turizmi.

Sa i përket integrimit evropian të Shqipërisë, sipas njoftimit, në takim u theksua se “Italia do të vijojë të mbështesë fuqishëm procesin, në të gjitha etapat e tij, ashtu si deri më tani”.

Kryeministri Rama po zhvillon një vizitë zyrtare dyditore në Itali, së bashku me një delegacion të përbërë nga disa ministra të kabinetit qeveritar, me fokus takimin e Komitetit të Përbashkët Shqipëri-Itali për Investimet, Çështjet Ekonomike dhe Sociale.

Gjatë vizitës, kryeministri Rama është takuar edhe me presidentin e Senatit të Republikës së Italisë, Ignazio La Russa, dhe zëvendëskryeministrin dhe ministrin italian të Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar, Antonio Tajani.

Related posts

Altun: 15 korriku, ndër rezistencat më të nderuara në historinë e Turqisë

admin

Guterres thirrje urgjente për shtimin e ndihmave humanitare në Gaza

admin

Tërmet në Mal të Zi, dridhjet ndihen edhe në Kosovë

RTI