RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Rama: Turqia, shumë e rëndësishme për sigurinë e Evropës – VIDEO

rama:-turqia,-shume-e-rendesishme-per-sigurine-e-evropes-–-video

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka marrë pjesë në Forumin Ekonomik të Delphit në Greqi, ndërkohë ai ka folur në lidhje me procesin e integrimit evropian, Turqinë, presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan, marrëdhëniet me Greqinë, zhvillimet në rajon dhe çështje të tjera, raporton Anadolu.

Në fjalën e tij Rama ka theksuar se presidenti turk, Erdoğan ka bërë një punë të jashtëzakonshme për vendin e tij.

“Ajo çfarë mendoj unë është se pavarësisht rezultateve të zgjedhjeve dhe nuk dua që t’i futem këtij diskutimi fare, megjithëse unë kam opinionin tim, unë mendoj që presidenti Erdoğan ka bërë një punë të jashtëzakonshme për vendin e tij, e ka ndryshuar shumë Turqinë. Sigurisht që ka gjëra të caktuara të cilat janë të diskutueshme, por më duhet të them se përpara sesa të diskutojmë këtë gjë, në veçanti BE-ja duhet të diskutojë sjelljen e vet ndaj Turqisë, në një kohë kur Turqisë iu tha: Duhet të bëni reforma që të pranoheni’, dhe ajo çfarë ndodhi ishte e kundërta, u la brutalisht pas dere Turqia”, tha Rama.

“Dhe më pas grushti i shtetit ishte një moment shumë, shumë kritik që ka pasur një ndikim të jashtëzakonshëm ku Erdoğan u ndje i braktisur. Pra është diçka komplekse. Megjithatë një gjë është e pamohueshme, pa ose me Erdoğan-in, Turqia është shumë e rëndësishme për sigurinë e Evropës dhe BE duhet ta marrë vërtetë shumë seriozisht Turqinë”, tha më tej Rama, duke shtuar se është mik i presidentit Erdoğan.

Kryeministri Rama theksoi më tej se mendon që marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë janë në kulmin e tyre.

“Ne po punojmë shumë ngushtë me njëri-tjetrin. Greqia është një partner shumë i rëndësishëm dhe një partner strategjik kur flitet për negociatat me Bashkimin Evropian dhe ka qenë një mbështetje shumë e fortë për ne, por gjithashtu ka qenë një mbështetje shumë e fortë edhe për Maqedoninë e Veriut pasi të dy vendet zgjidhën problemin që kishin me emrin apo çështje të tjera të lidhura me të”, u shpreh Rama.

Rama foli edhe në lidhje me procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar se “dialogu Kosovë-Serbi do thosha është çështja që mbetet ende çështje e madhe dhe zgjidhja e kësaj çështjeje do të thotë të mbyllësh një kapitull përgjithmonë, një kapitull të shumë kapitujsh gjaku dhe konfliktesh. Kjo është diçka shumë e rëndësishme dhe strategjike. Megjithatë, edhe sa i takon këtij elementi të veçantë, kësaj çështjeje të veçantë, marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë nuk kanë qenë asnjëherë aq të mira sa janë aktualisht”.

Kryeministri Rama shtoi se kur flitet për aspektin gjeo-politik dhe politikën ndërkombëtare të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ka një panoramë shumë komplekse.

“Kemi 3 shtete anëtare në NATO, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, por Shqipëria nuk ka fare ndikim rus, ndërkohë që Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut kanë një influencë ruse shqetësuese. Nga ana tjetër, kemi Serbinë, Bosnje dhe Hercegovinën dhe Kosovën. Kosova është si Shqipëria, është tërësisht e harmonizuar në të njëjtën linjë me Shtetet e Bashkuara dhe BE-në, nuk kanë ndikim rus, ndërkohë që Serbia apo Bosnja kanë shumë ndikim rus”, tha Rama.

Related posts

Zëdhënësi i BE: Mirëpresim thirrjet e Vuçiç për riintegrimin e serbëve në Kosovë

admin

Dha dorëheqjen dhe u arratis me helikopter së bashku me të motrën, ja shteti ku po udhëton kryeministrja e Bangladeshit! Protestuesit plaçkisin rezidencën zyrtare

admin

Kush është Kaja Kallas, gruaja që mund të zëvendësojë Borrellin?

rezart morina