Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar së fundmi raportin për të Drejtat e Njeriut për vitin 2023, ku thuhet se nuk pati ndryshime domethënëse në Kosovë sa i përket situatës së të drejtave të njeriut.
Raporti i Departamentit të Shtetit thotë se qeveria e Kosovës ndërmori hapa të besueshëm, por jo të vazhdueshëm për të identifikuar, hetuar, akuzuar dhe ndëshkuar zyrtarët që mund të kenë abuzuar me të drejtat e njeriut.
“Qeveria serbe vazhdoi të operojë struktura të paligjshme paralele qeveritare në zonat me shumicë serbe të Kosovës dhe në zonat e banuara kryesisht nga komuniteti goran i Kosovës. Qeveria serbe shpesh i përdorte këto struktura për të ndikuar në komunitetet serbe dhe gorane të Kosovës dhe përfaqësuesit e tyre politikë”, thuhet në raportin e DASH.
DASH përmend edhe procesin e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare në shkurt të vitit 2021.
“Vendi zhvilloi zgjedhjet parlamentare në shkurt 2021. Vëzhguesit ndërkombëtarë i konsideruan kryesisht zgjedhjet të drejta dhe pa abuzime dhe parregullsi. Vëzhguesit ndërkombëtarë dhe të pavarur, si dhe përfaqësuesit e grupeve të pakicave etnike raportuan shqetësime në lidhje me mungesën e konkurrencës në zonat me shumicë serbe të Kosovës dhe vunë në dukje presion dhe frikësimin brenda komuniteteve pakicë etnike për të mbështetur partitë e rreshtuara me Listën Serbe, një parti e lidhur ngushtë me qeverinë serbe”, thuhet tutje në raport.
DASH shton se përkatësia partiake shpesh luante një rol në aksesin në shërbimet qeveritare dhe mundësitë sociale dhe punësimi.
“Perspektivat për partitë opozitare në zonat serbe të Kosovës mbetën të kufizuara, megjithatë, për shkak të presionit të raportuar dhe taktikave të frikësimit për të ndikuar tek serbët e Kosovës që të mbështesin Listën Serbe”, thuhet në raport. /Telegrafi/
The post Raporti i DASH-it për frikësimin dhe ushtrimin e presionit nga Lista Serbe ndaj serbëve në veri first appeared on Radio Televizioni Iliria.