Të paktën 895,000 njerëz në Evropë ishin të pastrehë vitin e kaluar, sipas një raporti të ri, citojnë mediat e huaja. Gjermania regjistroi 84,500 persona në vitin 2022, ndërsa Spanja regjistroi më shumë se 28,500.
Gjetjet u përpiluan nga Federata Evropiane e Organizatave Kombëtare që punojnë me të pastrehët (FEANTSA) dhe Fondacioni Abbé Pierre në raportin e tyre të ri të titulluar “Strehimi i varfër në Evropë”.
Studimi ngre alarmin sesi kushtet e papërshtatshme të strehimit, si mbipopullimi, lagështia, ekspozimi ndaj ndotjes dhe kanalizimeve të dobëta, ndikojnë në segmentet më të varfra të popullsisë, duke përkeqësuar varfërinë dhe duke përjetësuar përjashtimin social.
“Çdo natë në Evropë, një popullsi e krahasueshme me atë të një qyteti si Marseja apo Torino është e pastrehë.”, thanë organizatat në një editorial të përbashkët.
Mungesa e të dhënave gjithëpërfshirëse të mbledhura përmes një metodologjie të përbashkët e bën të vështirë marrjen e një pasqyre të saktë të të pastrehëve në Bashkimin Evropian, paralajmërojnë organizatat.
Vlerësimi i tyre prej 895,000 njerëzve të pastrehë u mor duke përdorur të dhënat e vëna në dispozicion nga autoritetet kombëtare dhe lokale.
“Është një rritje prej 30% krahasuar me herën e fundit që kemi bërë këtë vlerësim në vitin 2018, dhe në 10 vitet e fundit është rritur tashmë me 70%. Pra ky është një problem strukturor në rritje në Bashkimin Evropian.”, theksoi Ruth Owen, zëvendësdrejtoresha e FEANTSA. /abcnews