RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Reforma territoriale e Ramës: ndryshim administrativ apo lojë politike?

reforma-territoriale-e-rames:-ndryshim-administrativ-apo-loje-politike?

Një shpërqendrim i llogaritur përballë “Revolucionit të Flamingove”

Protestat e fundit në 15 bashkitë e prekura nga reforma e re administrative-territoriale, të cilat kundërshtojnë shkrirjen e tyre me bashki më të mëdha, kanë rikthyer në qendër të vëmendjes një çështje që duket më shumë se një thjesht ndryshim hartash.

Sipas shumë shenjave, kjo nuk është një reformë e mirëfilltë për të përmirësuar shërbimet, por një manovër e llogaritur nga kryeministri Edi Rama për të shpërndarë energjitë e qytetarëve nga çështjet e mëdha kombëtare, të cilat prekin interesat strategjike të vendit dhe transparencën në menaxhimin e pasurive publike.

Teza se kjo reformë është një provokim i qëllimshëm, gjen mbështetje edhe në dinamikën e brendshme të Partisë Socialiste. E njohur për organizimin e saj kapilar dhe shtyllën e “patronazhistëve”, PS-ja është një parti që i lexon mirë reagimet e elektoratit të vet.

Prandaj nuk është e besueshme që kryeministri nuk e dinte se një reformë e tillë, që prek drejtpërdrejt interesat lokale dhe identitetin e komuniteteve, do të shkaktonte kundërshti dhe zemërim, madje edhe në radhët e të vetëve.

Shenjat ishin të dukshme që kur filluan të qarkullojnë zërat e parë për ndarjen e re. Në këtë kontekst, lëvizja duket e qëllimshme, por jo si një akt kamikaz i Partisë Socialiste – gjë që do të ishte tepër i bukur për t’u besuar.

Po çfarë është atëherë? Duket se jemi dëshmitarë të një skeme të njohur të kryeministrit Rama: “tërhiqe, por mos e këput”. Ai së pari paralajmëron një stuhi, duke krijuar panik dhe duke drejtuar vëmendjen e pakënaqur drejt qeverisë së tij.

Më pas, del në skenë me tonin e “babait të kombit”, duke shpallur tërheqjen ose modifikimin e skemës, duke u paraqitur si i vetmi që di të dëgjojë zërin e popullit. Nëse kjo logjikë vlen, atëherë duhet të presim një anulim apo ndryshim të ndjeshëm të reformës, duke i dhënë Ramës mundësinë të dalë në publik si “zemërdhembur” dhe të kërkojë mirënjohje nga socialistët e tij, të cilët do ta shohin si shpëtimtarin që zbuti goditjen.

Megjithatë, çështja është më e ndërlikuar. Protestat e qytetarëve në këto 15 bashki janë të sinqerta, sepse ata e dinë se në një bashki më të madhe, shërbimet që tashmë lënë për të dëshiruar, do të përkeqësohen.

Por pikërisht këtu qëndron dilema: a po e llogarit Rama se pakënaqësia lokale do të mbetet e izoluar dhe do të harrohet shpejt, apo ai po luan me zjarrin duke menduar se mund ta kontrollojë atë?

Nëse qëllimi i tij është vërtet të devijojë vëmendjen nga skandalet e mëdha kombëtare, si ai i Sazanit dhe Zvërnecit, atëherë ai po rrezikon të krijojë një front të ri pakënaqësie që mund të dalë jashtë kontrollit dhe të bashkojë kundër tij jo vetëm opozitën, por edhe bazën e tij elektorale.

Në këtë pikë, të besosh se Rama do të këmbëngulë në qasjen e tij aktuale, pa bërë asnjë lëvizje taktike do të ishte naive. Por po aq naive, do të ishte të mendosh se ai do të tërhiqet plotësisht pa e kthyer situatën në avantazhin e tij.

Modeli i tij i qeverisjes na ka mësuar se ai nuk e pranon kurrë humbjen. Ai synon ta transformojë atë në një fitore tjetër. Prandaj, edhe nëse reforma ndryshon apo de fakto rrëzohet, ndryshimi do të paraqitet si një “koncesion i madh” i kryeministrit ndaj kërkesave të qytetarëve, duke forcuar narrativën se vetëm ai është garantuesi i stabilitetit.

Në fund, qytetarët e 15 bashkive mund të korrin një fitore lokaliste, realisht të prekshme për përditshmërinë e tyre, por kryeministri do të ketë fituar kohën dhe vëmendjen që i duheshin për të lëvizur në skenën më të gjerë politike, duke i lënë ata të lodhur dhe të përçarë. Dhe ndoshta kjo është pikërisht ajo që ai kishte planifikuar që në fillim. tesheshi

Related posts

Historike në Mbretërinë e Bashkuar, lind fëmija i parë pas transplantit të mitrës nga një dhuruese e pajetë

admin

Tre akuza të ngritura ndaj tij, gjykata merr vendimin për reperin Gjesti

admin

“Gjoba e radhës!”- Teliti denoncon skandalin: Rama i jep 40 milionë euro Albcontrol për të mbushur gropën e hapur nga humbja e gjyqit me Becchettin

admin