Zëvendës sekretari i përgjithshëm për çështjet humanitare dhe koordinatori i OKB-së për ndihma emergjente, Martin Griffiths tha se regjimi i Asadit në Siri ka vendosur të mbajë hapur edhe për 3 muaj pikat kufitare Öncüpınar (Bab Al Salam) dhe Çobanbey (Al Rai) për ndihmat humanitare, transmeton Anadolu.
Në një postim nga llogaria e tij në Twitter, Griffiths deklaroi: “Në 3 muajt e fundit kalimet në Öncüpınar dhe Çobanbey kanë qenë një linjë jetike për të ndihmuar sirianët që u prekën nga tërmetet e 6 shkurtit. Vendimi i qeverisë siriane për t’i mbajtur të hapura (këto kalime) për ndihmat e OKB-së për 3 muaj të tjerë është i mirëpritur”.
Pas tërmeteve me qendër në Kahramanmaraş më 6 shkurt, regjimi i Asadit në Siri dha pëlqimin që pikat kufitare Öncüpınar dhe Çobanbey të përdoren për 3 muaj për ndihmën humanitare ndërkufitare të OKB-së për Sirinë.
Për këto pika, afati i të cilave përfundonte mëngjesin e sotëm, regjimi i Asadit dha pëlqimin që të përdoren për ndihma ndërkufitare deri më 13 gusht.
Ndërsa pika kufitare Cilvegözü (Bab Al-Hawa) e cila është pika e vetme kufitare e autorizuar me rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për ndihmat humanitare do të qëndrojë e hapur deri më 10 korrik.