Shiu i pandërprerë prej dy ditësh shoqëruar me stuhi e rrebeshe po sjell dëme të mëdha në Tropojë.
Kryetari i Bashkisë së Tropojës, Rexh Byberi bëri të ditur sot se situata paraqitet më problematike në njësinë administrative, Bytyç, ndërsa apeloi për ndihmë.
Ai u kërkoi edhe banorëve të kenë kujdes dhe të evitojnë lëvizjet.
“Jo vetëm rrugët dhe kanalizimet janë të tejmbushura, por nga gërryerjet dhe shembjet e mëdha janë në rrezik banesat e qytetarëve. Gjendja më alarmante është në fshatin Vlad, por pothuajse në të gjithë territorin e bashkisë përshkallëzimi po shkon drejt një katastrofe natyrore. Apeloj në mënyrë urgjente, jo vetëm pranë institucioneve përgjegjëse shtetërore, por dhe tek secili banor i Tropojës për kujdes të shtuar dhe solidaritet. Kujdesi më i madh duhet të jetë tek rezervuaret e tejmbushur të cilët rrezikojnë në raste si ky”, u shpreh Byberi.