RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Ritet në 44 numri i të vrarëve nga sulmi në një tubim publik në Pakistan

ritet-ne-44-numri-i-te-vrareve-nga-sulmi-ne-nje-tubim-publik-ne-pakistan

Është rritur në 44 numri i të vrarëve nga një sulm vetëvrasës me bombë gjatë një tubimi politik në Pakistan të dielën.

Sulmi, në të cilin raportohet se po ashtu u lënduan 200 persona, ndodhi në rrethinën veriperëndimore të Pakistanit, Bajur, pranë kufirit me Afganistanin.

Zyrtarët po njoftonin për mbërritjen e Abdul Rasheed, liderit të partisë islamike Jamiat Ulema, kur bomba shpërtheu duke e shkaktuar njërin prej sulmeve më gjakderdhëse në vitet e fundit në Pakistan.

Autoritetet e kanë bllokuar zonën dhe kanë paralajmëruar se numri i të vdekurve mund të rritet.

Policia në Bajur tha se sulmi u krye nga një person, i cili e shpërtheu jelekun e vet të mbushur me eksplozivë pranë skenës ku ishin ulur disa liderë të lartë të partisë.

Hetimet e para sugjerojnë se grupi Shteti Islamik – i cili vepron në Afganistan dhe është armik i talibanëve afganë – mund të jetë përgjegjës për sulmin, sipas policisë lokale.

“Kishte pluhur dhe tym përreth, unë isha nën disa persona të lënduar, nga ku mezi u çova në këmbë dhe për cfarë? Për të parë rrëmujë dhe gjymtyrë të prera”, tha Adam Khan, 45 vjeç, i cili ishte rrëzuar në tokë nga shpërthimi që ndodhi të dielën.

Zyrtarët lokalë kanë thënë se lideri rajonal i partisë JUI-F Maulana Ziaullah, është vrarë në shpërthim.

Talibanët e Pakistanit, apo siç njihen TTP, thanë në një komunikatë për Associated Press se sulmi kishte synim t’i nxiste islamikët kundër njëri-tjetrit.

Zabiullah Mujahid, zëdhënës i TTP-së, tha në rrjetin social Twitter se “krimet e tilla nuk mund të arsyetohen në asnjë mënyrë”.

Marrja e pushtetit nga talibanët afganë në Afganistan në gusht të vitit 2021 e i ka dhënë guxim TTP-së. Ky grup i ka dhënë fund në mënyrë të njëanshme marrëveshjes për armëpushim me Qeverinë e Pakistanit në nëntor, dhe që prej atëherë i ka rritur sulmet nëpër këtë vend. /rel

Related posts

Komisioni Evropian propozon heqjen e roamingut edhe për Kosovën

Kushtrim Guraj

Itali, rreth 1.000 persona evakuohen për shkak të rrëshqitjeve të dheut

Muhamet Ramadani

Droni turk Akıncı kthehet në Turqi pas misionit të tij për gjetjen e rrënojave të helikopterit të presidentit iranian

Muhamet Ramadani