RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Rrëfime për krimet e nënkryetarit të Kuvendit të Serbisë, Bozhidar Deliq

rrefime-per-krimet-e-nenkryetarit-te-kuvendit-te-serbise,-bozhidar-deliq

Pjesëmarrësi në masakrën e Mejës dhe shumë masakra në këtë Rajon, Deliq i ka shqetësuar familjarët e viktimave të cilë thonë se ai do duhej dënuar për krime lufte dhe jo të shpërblehet me poste nga Qeveria e Aleksander Vuçiqit.

Zgjedhja nënkryetar i Kuvendit në Serbi e gjeneralit, Bozhidar Deliq, i cili me Brigadën e motorizuar “549” ishte pjesëmarrës në masakrën e Mejës dhe shumë masakra në këtë Rajon, i ka shqetësuar familjarët e viktimave.

Ata thonë se ushtaraku i Millosheviqit, duhet të dënohet për krime lufte, e jo të shpërblehet me poste nga Qeveria e Aleksander Vuçiqit.

Në vendet ku Delliq ka qenë përgjegjës me brigadën e tij e ku janë kryer krime, janë gjetur thika, gëzhoja të plumbave, lidhëse për gjymtyrë e shumëçka tjetër këtu. Dëshmi këto për mizorinë e masakrave në Mejë dhe rrethinë të Gjakovës.

Krahas tyre në muzeun personal të Gjokë Sokolit, ruhen edhe gëzhojat e kalibrit të madh të predhave. Bozhidar Delliq me brigadën e motorizuar “549” ishte përgjegjës që kjo zonë të shkrumbohej me artileri të rëndë.

Ish-ushtaraku i Slobodan Millosheviqit sipas Gjokë Sokolit, ka pasur rol edhe në masakrën e Mejës, masakër në të cilën ai humbi tre vëllezër, nipin dhe djalin e axhës.

“Ky (Deliq) ka marrë pjesë edhe në Mejë edhe në qytetin e Gjakovës edhe flitet që ka marrë pjesë edhe në masakrën e Krushës. Ky është krimineli numër një dhe prandaj e meriton dënimin”, shprehet i mllefosur Sokoli.

Gjurmët e të bëmave të Deliqit ende janë në dyert e shtëpisë së Sokolit, pak metra larg vendit ku janë të varrosur shumica e 376 të masakruarve në Mejë.

Mbetjet e shenjave të dhunës në dyert e shtëpisë së Sokolit janë gjurmët e vendit ku u ekzekutuan rreth 30 civilë. Gjokë Sokoli thotë se sa herë që del në oborr dhe tek varrezat ndjehet i rënduar, e sidomos së fundmi me lajmin se Bozhidar Delliq është zgjedhur nënkryetar i Kuvendit në Serbi.

Madje, ai është i mendimit se “E drejtë e Kosovës ka qenë që mos me bisedu me kriminela të luftës, kjo ka qenë mënyra më e drejtë për Kosovën”.

Gjenerali në pension Bozhidar Deliq me brigadën “549” ka vepruar në zonën e Prizrenit, Rahovecit, Suharekës dhe Dragashit. Megjithatë vendlindja e tij është Gjakova, fshati Lugbunar, pak kilometra larg Mejës.

Shumica e banorëve të tanishëm thonë se nuk e njohin ushtarakun famëkeq Deliq. Sipas tyre Deliq me familjen nga këtu ishin larguar në vitet e 90′, ndërkaq ky fshat, së fundmi ka filluar të banohet nga shqiptarët.

Zgjedhja e Deliqit nënkryetar i Kuvendit në Serbi është kritikuar edhe nga aktivistja serbe, Natasha Kandiq. Ajo ka deklaruar se në zonat ku ka komanduar ai janë dokumentuar mbi dy mijë civilë të vrarë dhe janë gjetur mbetje mortore të më shumë se 450 të vrarëve.

Related posts

Pritje të gjata te Dheu i Bardhë edhe sot

RTI

Suedi, mbahen zgjedhjet e përgjithshme dhe lokale

admin

Gjendet pa shenja jete një person në Gjilan, policia nis hetimet

admin