122 punëtorë të katër ministrive në vend kanë kënaqësinë të marrin pagë pa u parë asnjëherë të vetme në vendin e tyre të punës.
Më e keqja është që këta punonjës besohet që ishin pjesë e “Mbrojtës Civile”, organizatë e shpallur terroriste nga Qeveria e Kosovës vitin e kaluar nën arsyetimin që paraqesin kërcënim serioz dhe të drejtpërdrejtë për rendin kushtetues dhe sigurinë e Kosovës.
Sipas raportit të Auditorit që edhe këtë vit e ka gjet këtë shkelje në katër ministri, punëtorët e komunitetit serb janë paguar në total nga buxheti i shtetit me mbi 700 mijë euro në vit.
Ministria me më së shumti punëtorë që marrin pagë e nuk dalin në punë është ajo që e udhëheq Liburn Aliu, e Infrastrukturës që me mbi 300 mijë euro paguan 62 punëtorë.
E me nga 20 punëtorë secila janë edhe Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Kulturës dhe Ministria për Komunitete dhe Kthim.
Zyra Kombëtare e Auditimit ka sugjeruar që të ndërmerren hapa nga ministrat përkatës.
“Për ministrinë kjo çështje është mjaftë sfiduese për sistemimin e tyre në hapësira të përcaktuara të punës për faktin që edhe nuk kanë objektiva të përcaktuara të punës, prandaj edhe nuk zhvillojnë asnjë aktivitet në ministri. Pagesat e punonjësve në mungesë të dëshmive për vijueshmëri dhe në mungesë të angazhimit për kryerjen e detyrave zyrtare, konsiderohen si paga të paarsyetuara dhe dëmtojnë buxhetin e ministrisë”.
Por, kjo situatë e krijuar e ka një histori që daton nga 2015.
Me një vendim të Qeverisë së asaj kohe, të udhëhequr nga kryeministri i atëhershëm Isa Mustafa, ishte vendosur që të aprovohen konkluzionet e dakorduar në Bruksel në kuadër të marrëveshjes për normalizim të raporteve me Serbisë.
Me këtë marrëveshje supozohej të shpërbëhej “Mbrojtja Civile” dhe punëtorët e saj të integroheshin në institucionet e Republikës së Kosovës.
The post Rreth 700 mijë euro paga për punëtorët serbë që s’dolën në punë në katër ministri first appeared on Radio Televizioni Iliria.