Çmimet e naftës janë rritur të hënën pasi disa prej eksportuesve më të mëdhenj në botë, kanë marrë vendim për ulje të sasisë së prodhimit.
Çmimi i naftës së papërpunuar Brent, është duke u tregtuar për 85 dollarë për një fuçi, pas një rritjeje prej gati 6 për qind.
Ekonomistët kanë paralajmëruar se rritja e çmimeve mund t’i pengojë tentimet për ulje të çmimeve të jetesës.
Mirëpo grupi monitorues, RAC, ka thënë se nuk pret rritje të çmimeve të benzinës, përveç nëse rritja e çmimeve të naftës vazhdon për disa ditë.
Çmimet e naftës së papërpunuar janë rritur pasi Arabia Saudite, Iraku dhe disa shtete të Gjirit, kanë vendosur të zvogëlojnë prodhimin për më shumë se një milion fuçi naftë në ditë.
Përveç kësaj, Rusia ka thënë se do të zvogëlojë edhe për gjysmë milioni më shumë sasitë e prodhuara të naftës brenda ditës, deri në fund të vitit.
Gjigantët e energjisë, BP dhe Shell, kanë përjetuar rritje të vlerës së aksioneve për më shumë se 4 për qind të hënën.
Çmimet e naftës janë rritur prej kur Rusia e ka pushtuar Ukrainën, mirëpo së fundi kanë nisur të kthehen në nivelet para se të niste konflikti.
Megjithatë, Shtetet e Bashkuara kanë bërë thirrje për rritje të prodhimit, ashtu që të bien çmimet e energjisë.
Një zëdhënës i Këshillit amerikan për Siguri Kombëtare, ka thënë se “nuk mendon që tani këshillohet zvogëlimi i prodhimit, marrë parasysh pasigurinë në tregje”.
Rritja e çmimeve të energjisë ka ndikuar në rritje të inflacionit, duke rritur presionin mbi ekonomitë familjare. /rel