RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Rritet numri i emigrantëve nga ish-vendet sovjetike në kufirin SHBA-Meksikë

rritet-numri-i-emigranteve-nga-ish-vendet-sovjetike-ne-kufirin-shba-meksike

Pavarësisht përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara për të frenuar emigracionin, fluksi i emigrantëve në kufirin me Meksikën po vazhdon. Por pjesë e këtij fluksi nuk janë vetëm emigrantët nga vendet e Amerikës Qendrore dhe Jugore.

Një numër emigrantësh nga Taxhikistani, një vend nga Azia Qendrore, që ka qenë pjesë e ish-Bashkimit Sovjetik, janë nisur për në Shtetet e Bashkuara.

Ata ndodhen në Meksikë, ku kanë kërkuar azil për shkak të luftës në Ukrainë.

“Dua të shkoj në Amerikë”, ka thënë Fajodi nga Taxhikistani.

Zyrtarët e imigracionit thonë se po shohin një rritje të azilkërkuesve nga vendet ish-sovjetike.

Qeveria meksikane thotë se numri i emigrantëve nga Taxhikistani, Kirgistani, Kazakistani dhe Uzbekistani pothuajse u dyfishua nga viti 2021 në 2022, dhe numri tyre është në rritje.

Shumë nga këta emigrantë po udhëtojnë drejt qyteteve kufitare meksikane të Tihuanës dhe Rejnosës. Carlos Victor Peña Ortiz është kryebashkiak i Rejnosës.

“Shumë njerëz nga Ukraina, Kazakistani, Taxhikistani dhe shumë vende të tjera po kalojnë tani nëpër këtë kufi. Fluksi i emigrantëve vazhdon të rritet”, ka thënë ai.

Shumica e tyre mbërrijnë së pari në qytetin e Meksikos ose Kankun përpara se të shkojnë në qytetet pranë kufirit me Shtetet e Bashkuara.

Por shumë prej emigrantëve nga vendet ish-sovjetike të Azisë Qendrore nuk shkojnë në qendrat e strehimit për të kërkuar ndihmë, ka thënë Enrique Lucero, drejtor i Zyrës së Çështjeve të Emigrantëve në Tihuana.

“Ashtu si në rastin e emigrantëve nga Azia, Rusia dhe Kazakistani, njerëzit nga të gjitha ato rajone po qëndrojnë në hotele”, ka thënë ai.

Por një numër i madh emigrantësh u detyruan të jepnin gjithçka për të arritur në Meksikë. Fajoudi thotë se atij iu deshën 4 muaj për të arritur në Meksikë, me shpresën për të marrë azil në Shtetet e Bashkuara.

“Të gjitha paratë i shpenzova për hotelin. Nuk kam para për ushqim. Nuk kam para”, ka thënë ai.

Këta katër emigrantë janë nga Bjellorusia, një aleate e Rusisë, që kufizohet me Ukrainën.

Ky emigrant, pjesë e një grupi prej 25 personash nga Kirgistani, shpreson të shkojë te një i afërm në Shtetet e Bashkuara.

“Në Filadelfia kam miq dhe një vëlla”, ka shtuar ai.

Ata u bashkohen mijëra emigrantëve të tjerë që presin në kufi, duke shpresuar për siguri dhe një fillim të ri në Shtetet e Bashkuara. /voa

Related posts

Shkon mbi 14 milion numri i ukrainasve që kanë kaluar në Poloni

admin

Vetë në garë për kreun e Shtëpisë së Bardhë, demokratja Kamala Harris interviston kandidatët e mundshëm për nënpresident. Ja tre emrat kryesorë

admin

SHBA mirëpret vendimin e Kosovës për Manastirin e Deçanit, ambasadori Hovenier: Hap i domosdoshëm

admin